Gani Dreshaj, AAK, Istog. Foto: Atdhe Mulla
A mundet Gani Dreshaj të paguajë gjobën e Xhakës dhe Shaqirit?
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Gani Dreshaj, ka shprehur gatishmërinë që të paguajë dënimet që FIFA i shqiptoi ndaj lojtarëve të kombëtares së Zvicrës: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Stephan Lichtsteiner.
Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, deputeti Dreshaj tha se me dëshirën më të madhe do të donte t’ua paguante këtë dënim Xhakës e Shaqirit.
Madje, ai tha se është i gatshëm të paguajë gjobat e shqiptuara nga FIFA sa herë që ata gjobiten për shkak të bërjes së shqiponjës me duar.
“Pra, sa herë që ata bëjnë shqiponjën, unë iu them se marr përgjegjësinë e gjobave nga FIFA”, ka shtuar ai.
https://kallxo.com/deputeti-i-kosoves-i-gatshem-te-paguaje-denimin-e-xhakes-dhe-shaqirit/
Por, a ka mjete financiare deputeti Dreshaj për të paguar dënimet e tre lojtarëve të kombëtares zvicerane.
Sipas deklarimit të pasurisë të bërë nga Gani Dreshaj në Agjencinë Kundër Korrupsionit ai nuk ka mjete për të paguar gjobat e shqiëptuara nga FIFA.
Në AKK, ai ka deklaruar para të gatshme – në institucione financiare vetëm 1.080 euro.
Prandaj, nëse llogarisim shumën e gjobës së dy lojtarëve me origjinë nga Kosova 20 mijë franga për të dy (rreth 17 mijë euro), deputeti Dreshaj del se nuk i ka as 10 për qind të shumës së gjobës së Xhakës dhe Shaqirit.
KALLXO.com raportoi sot se tre lojtarë të Zvicrës u dënuan pikërisht për festimin e fitores ndaj Serbisë me bërjen e simbolit të shqiponjës.
https://kallxo.com/fifa-denon-xhaken-e-shaqirin-me-nga-10-mije-franga/
Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri u dënuan me nga 10 mijë franga zvicerane e Stephan Lichtsteiner me 5 mijë franga.