A duhet të jetë festë zyrtare 12 qershori - Dita e Çlirimit?

Këtë 12 qershor (e mërkurë) u kremtua 20 vjetori i çlirimit, datë kjo e cila nuk është festë zyrtare në Republikën e Kosovës, por i përket festave memoriale, e njohur ndryshe edhe si Dita e Paqes.

Në opinionin publik vendor shpeshherë është diskutuar për mundësinë që dita e çlirimit të jetë festë zyrtare, por ligjvënës vendor thonë se nuk kanë diskutuar ndonjëherë në grup këtë opsion.

Anëtari i Komisioni për Legjislacion, Sami Kurteshi (Lëvizja Vetëvendosje), ka thënë për KALLXO.com se në Kosovë ka shenja të imponimit në caktimin e festave zyrtare.

“Mendoj se ne kemi shumë festa zyrtare dhe shumë ditë pushimi dhe krejt pa nevojshëm, domethënë mundësia për të gjetur ditë pushimi është e shprehur goxha te ne. Por festat zyrtare nuk është e domosdoshme të jenë ditë pushimi. Mund të jenë edhe ditë pune, nuk është patjetër të ketë pushim”, theksoi deputeti opozitar.

Sipas Kurteshit, në Kosovë nuk është marrë parasysh festimi i ditëve të veçanta për shoqërinë me arsye historike nga e kaluara apo trashëgimia.

“Ne e kemi për shembull Ditën e Evropës, askush në Evropë nuk e feston kurse ne po”, vlerësoi ai.

Në anën tjetër, në aktin më të lartë juridik të shtetit, është i përcaktuar “Legjislacioni me Interes Vital”, ku janë të përfshira edhe ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë simbolet e komuniteteve dhe për festat publike.

Ndërkohë për miratimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e këtyre ligjeve,  duhen edhe votat e  komuniteteve jo-shumicë.

“1. Për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve në vijim, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë”, thuhet në nenin 81 të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës, asnjëri nga ligjet me interes vital, nuk mund t’i nënshtrohet referendumit.

Ndërkaq, në Ligjin për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës të njëjtat klasifikohen në  festat zyrtare,  memoriale dhe ato komunale.

Festa zyrtare janë gjithsej 11, të cilat janë: Viti i Ri-1 dhe 2 janari; Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti; Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli; Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji; Dita e Evropës, 9 Maji; Bajrami i Madh, dita e parë; Bajrami i Vogël, dita e parë; Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor; Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar; Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve; Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve.

Ndërkaq, vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës është ndërmarrë një nismë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, me iniciativë të komuniteteve jo-shumicë, megjithëse e njëjta ende është në procedurë të legjislativit.

https://kallxo.com/fotogaleri-tubimi-qendror-per-20-vjetorin-e-clirimit-te-kosoves/