A do t’i mbrojë KPK prokurorët nga politika?

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” ka treguar se a do të mbrojë KPK prokurorët nga politika.

“Po ju them prokurorët do të jenë të mbrojtur në çfarëdo rasti, le ta ushtrojnë kompetencat dhe detyrat e tyre sepse ne jemi në shërbim të prokurorëve kur ata veprojnë me ligj dhe nuk do t’i mbrojmë prokurorët që nuk e kryejnë detyrën në bazë të ligjit, por do të sanksionohen”, tha Hyseni.

Hyseni foli edhe për prokurorin e dorëhequr që po merrej me rastin e veteranëve të rrejshëm, Elez Blakajn.

Ai tregoi edhe për kërcënimet dhe sulmet ndaj prokurorëve.

“KPK do të reagojë në secilin rast sepse e kemi obligim ligjor, na obligon edhe ligji për Prokurorinë e Shtetit, edhe ligji për KPK, në të gjitha rastet kur një prokuror sulmohet pa të drejt për shkak të ushtrimit të detyrës së tij si prokuror. Sa i përket rastit Blakaj konsideroj se është rast i mbyllur”, shtoi Hyseni.

E sa do të sigurojë buxhet për prokurorët, Kryesuesi Hyseni tha se kanë bërë një avancim sa i përket kësaj çështjeje.

“Konsideroj se kemi bërë një avancim sa i përket buxhetit, kemi arritur që vetëm për tri vitet e fundit të avancojmë,  është e vërtet që kushtetuta e Kosovës pushtet i ka të barabarta, ne aktualisht po punojmë dhe një nga objektivat e mia do të jetë që të krijojmë një buxhet sa më stabil për të krijuar kushte më të favorshme për prokurorinë e shtetit me u marr me kriminalitetin në Kosovë, dhe natyrisht me komisionin e përhershëm për buxhet që e kemi në Këshillin Prokurorial të Kosovës, kemi synim dhe do të kërkojmë të rrisim buxhetin”, tha ai.

Emisioni Jeta në Kosovë transmetohet sonte në ora 20:15 në RTK dhe repriza nesër në mesditë.

www.kallxo.com