Foto-ilustrim

A do të nisin hetimet ndaj Policisë rreth rastit të vrasjes së djeshme në Prishtinë?

Një sqarim i Policisë në lidhje me ngjarjet që i kanë paraprirë vrasjes së djeshme në Prishtinë, mund ta shtyjë Prokurorinë të nisë hetime edhe ndaj Policisë.

Detaje të ngjarjes së vrasjes së djeshme, ku një 27 vjeçar u vra nga vëllai i gruas së tij, u dhanë sot nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar prokuroren e rastit, Bukurie Gjonbalaj.

Ajo tha se ka njohuri për këto ngjarje.

“Unë jam e informuar për krejt. Krejt senet janë në fazë të hetimeve”, ka thënë ajo, duke shtuar se nuk e di pse gazetarët, sipas saj, po tentojnë të ndërhyjnë në hetime dhe t’i pengojnë hetimet.

“Nuk e di pse ju gazetarët po tentoni të ndërhyni në hetim edhe me i pengu hetimet. Nuk është ashtu siç quhet. S’mund të ju them asnjë informatë çka u kanë, qysh u kanë”, tha prokurorja Gjonbalaj.

Ajo tutje nuk ka treguar nëse do të fillojnë procedurat e hetimit ndaj Policisë për mosveprimin e mundshëm në rastin e djeshëm.

“Prokuroria e heton atë që e sheh të arsyeshme me hetu e heton. Ne nuk obligohemi për çdo fazë të hetimeve me raportu”, tha Gjonbalaj për Kallxo.com.

Një sqarim i Policisë në lidhje me raportimet e mediave për mosreagim të tyre ndaj lajmërimeve paraprake të viktimës sqarojnë se si kishte rrjedhur ngjarja.

I gjithë rasti kishte ndodhur pasi viktima A.J. kishte sulmuar djalin e tanimë të dyshuarit kryesor për vrasjen, B.Sh.

Policia tregon se pak pas mesnatës kishte lajmëruar se ka marrë mesazhe kërcënuese nga miku i tij.

Policia kishte udhëzuar viktimën A.J. që të paraqitej në stacionin policor.

“Në ora 02:45 personi A.J. është paraqitur në stacionin policor Qendra në Prishtinë,  për të paraqitur një rast tjetër”, ka treguar policia.

Viktima kishte paraqitur rastin , ku i njëjti e ka sulmuar/rrahur djalin e mikut të tij (B.Sh. 26 vjeçar), për një fyerje (sms ofendues) dhe mosmarrëveshje në mes veti.

Policia ka thënë se “Vlen të potencohet se gjatë kësaj kohe personi A.J. ka qenë i shoqëruar me mikun e tij, vëllain tjetër të të dyshuarit i cili u vetëdorëzua mëngjesin e sotëm, B.Sh.

https://kallxo.com/si-e-endi-policia-stacion-me-stacion-te-riun-qe-u-vra-dje-ne-prishtine/

“Policia e Kosovës përmes zyrtarëve kompetentë, menjëherë ka kontaktuar përmes telefonit, personin (palën  e dëmtuar (B.Sh. 26 vjeçar), i cili në deklarimet e tij ka thënë se ka qenë vetëm një mosmarrëveshje e vogël dhe se nuk dëshiron të vijë në stacion për të denoncuar rast ndaj personit A.J. (dhëndrit të tij)”, ka thënë Policia.

Tutje policia ka treguar se referuar procedurave pasi nuk ka pasur elemente për te hapur rast, viktima A.J. është udhëzuar që për rastet e kërcënimeve të mëhershme nga miku i tij, me që mesazhet vinin nga Austria, t’i paraqes në stacionin policor “Veriu” Prishtinë, në zonën e banimit të tij,  për ndërmarrje të veprime të mëtutjeshme policore.

Tani më viktima A.J. rreth orës 03:30 është paraqitur  në stacionin policor Veri , për të deklaruar lidhur me pretendimet e tij për mesazhet kërcënuese, që i kishte pranuar përmes telefonit nga miku i tij i cili gjendej në Austri.

“Me që këto mesazhe kërcënuese kanë qenë indirekte, (pasi të njëjtat ishin dërguar në telefonin e bashkëshortes se tij, nga i njëjti është kërkuar që të ftohet bashkëshortja për ti sjellë mesazhet kërcënuese dhe për të deklaruar lidhur me rastin.

Sipas udhëzimeve të dhëna personi A.J. pasi gjatë kësaj kohe sipas tij ka qenë në orarin e punës,  ka kërkuar nga policia për ta lënë një takim te radhës në po të njëjtin stacion, në po të njëjtën ditë rreth orës 07:00, ku do të sillte mesazhet dhe personin tjetër (bashkëshorten) për të dhënë deklaratë dhe për të hapur rastin”, thuhet tutje në sqarimin e Policisë.

Sipas Policisë, zyrtarët kompetentë të PK-së, i kanë dhënë udhëzimet dhe sugjerimet e duhura konform autorizimeve dhe procedurave te parapara ligjore, që i njëjti sipas kërkesës së tij  të paraqitet në stacionin policor së bashku me bashkëshorten e tij, në mënyrë që të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet policore sipas dispozitave te parapara ligjore, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur fare në kohën e kërkuar nga vet ai.

Vlen te potencohet se për të gjitha veprimet policore, duke filluar nga kontakti i komunikimit të parë të personit A.J. përmes linjës emergjente 192 me zyrtaret kompetent policor, Policia e Kosovës i posedon audio-incizimet, e po ashtu edhe të gjitha raportet zyrtare rreth këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë.

Megjithatë, pavarësisht kërcënimeve me vdekje që i kishte marrë viktima, Policia nuk e përmend askund nëse kanë ndërmarrë ndonjë operacion për ta lokalizuar ose për ta bastisur të dyshuarin.