Qeveria e Maqedonisë - Foto: REL

A do të jetë me 'fat' takimi i tretë i liderëve në Maqedoni?

Partia opozitare, VMRO-DPMNE ka kushtet e veta. Edhe pse zyrtarisht nuk duan të komentojnë, megjithatë disa nga kërkesat e tyre që i prezantuan në takimet e liderëve janë: Formimi i qeverisë teknike 100 ditë para çdo procesi zgjedhor, ndryshimi i Ligjit për financimin e partive politike dhe ndryshime në Kodin Penal për amnisti.

Analistët thonë se nesër do të arrihet marrëveshje, por njëkohësisht i bëjnë thirrje pushtetit, që të lëshojë pe lidhur me kërkesat e opozitës.

Analisti politik, Selim Ibrahimi, pret që nesër kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, të bëjë lëshime për disa çështje.

Këtë duhet ta bëjë nëse mendon për të ardhmen e shtetit, për mbajtjen e një referendumi të suksesshëm dhe për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

“Nuk mendoj se zgjidhja do jetë kaq e lehtë dhe pres lëshime nga LSDM, edhe pse kryeministri tha se nuk do të ketë lëshime për çështjen strategjike të Maqedonisë. Mirëpo, pa një kompromis nga të gjitha palët do jetë shumë e vështirë që ata të arrijnë një zgjidhje afatgjate. Ajo që vlen të theksohet, është Kodi Zgjedhor që do të luajë rolë të rëndësishëm në proceset zgjedhore dhe zvogëlimi i numrit në Parlament për të votuar nga 81 në 61, ku VMRO-DPMNE e ka kushtëzuar. Me rëndësi është të theksohet edhe pozicioni i BDI-së dhe mobilizimin që kjo parti duhet ta bëjë para referendumit”, tha Selim Ibrahimi – analist..

Njohësit e politikës thonë se kryeministri Zaev, do të pranojë disa kërkesa të VMRO-DPMNE-së, por nuk do të pranojë amnisti për funksionarët e kësaj partie, të cilët ishin pjesë e hyrjes së dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.

Sipas analistëve, kjo kërkesë e opozitës është e pabazë dhe e papranueshme “Sipas mendimit tim deri nesër do të ketë marrëveshje dhe Zaevi do ta pranojë shumicën e kërkesave, përveç asaj për amnistinë, zgjedhjet e parakohshme përmenden si një zgjidhje e mundshme për të pasur një marrëveshje eventuale mes liderëve.

Këtë mundësi nuk e përjashton as Zoran Zaev, por megjithatë, partneri i koalicionit BDI, respektivisht Ali Ahmeti, konsideron se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsioni më i mirë për momentin. Në takimin e nesërm të liderëve, do të marrin pjesë LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja dhe Lëvizjes Besa, respektivisht krahu i Bilall Kasamit./21Media