Rruga e pa asfaltuar "Lavdia e UÇK-së" në Tërpezë, Foto: Kallxo.com

Ankesë për rrugën në Tërpezë që nuk u propozua për asfaltim nga Këshilli i Fshatit

Agim Emini nga fshati Tërpezë e Vitisë është ankuar se rruga “Lavdia e UÇK-së” në të cilën ai jeton, nuk është asfaltuar përkundër kërkesës për një gjë të tillë.

Rruga “Lavdia e UÇK-së” në skaje të së cilës janë të ndërtuara rreth 13 shtëpi, është një rrugë publike rreth 300 metra e gjatë, e cila e lidhë “Rrugën e UÇK-së” me “Rrugën e Kalasë” të fshatit Tërpezë.

“Me keqardhje e paraqes këtë rast por, na kanë nënçmuar shumë në këtë rrugë, vetëm një herë është investuar 2 kamiona zhavorr, kemi bërë kërkesë dhe peticion, rruga ka qenë në sistem (për me t`u asfaltuar), kurse tash e kishin heqë prej sistemit”, tha Emini për KALLXO.com.

Por, komuna e Vitisë ka thënë për KALLXO.com se arsyeja kryesore pse nuk është bërë asfaltimi i rrugës “Lavdia e UÇK-së” në fshatin Tërpezë është se nuk i është dhënë prioritet nga Këshilli i Fshatit.

Në përgjigjen e komunës së Vitisë thuhet se vetëm gjatë vitit 2018 janë asfaltuar 7 rrugë nëpër lagjet e fshatit Tërpezë.

“Në fshatin Tërpezë gjithsej janë asfaltuar 11 rrugë, duke përfshirë edhe rrugën kryesore të fshatit, gjë që tregon se ky fshat nuk është lënë pas dore nga qeveria komunale e Vitisë”, thuhet në përgjigjen e komunës së Vitisë.

Komuna e Vitisë ka deklaruar për KALLXO.com se asfaltimi i rrugës “Lavdia e UÇK-së” nuk është në plan për t`u asfaltuar në vitin 2018.

“Kjo rrugë planifikohet të asfaltohet në vitin 2019 kur edhe do të hapen procedurat e prokurimit”, përfundon përgjigja e komunës së Vitisë.