9 vjet burg të miturit që akuzohet për vrasjen te stacioni i autobusëve në Ferizaj

Gjykata në Gjilan e ka gjetur fajtor dhe dënuar me 9 vjet burg të miturin me iniciale Sh.R që akuzohej për vrasjen e ndodhur më 20 shkurt të këtij viti afër stacionit të autobusëve në Ferizaj.

Deri te ky vendim ka ardhur pasi që i mituri e ka pranuar autorësinë e veprës.

“I mituri, me datë 20.02.2019, rreth orës 22:30 minuta në rrugën “Ahmet Kaqiku” në Ferizaj, përkatësisht afër stacionit të autobusëve, për motive të ulëta, nga hakmarrja e paskrupullt, me dashje direkte dhe në mënyrë dinake e ka privuar nga jeta tani të ndjerin M. A., duke e qëlluar me revole njëherë në kokë dhe dy herë në shpinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Gjilan.

Për këto veprime, i mituri ngarkohej me dy vepra penale, vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Pas shpalljes së aktgjykimit, të miturit i është vazhduar edhe masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.