Foto: Kallxo.com

9 Ditë, Rreth 8 Mijë Tiketa Trafiku me Ligjin e Ri për Kundërvajtje

7732 tiketa trafiku janë shqiptuar nga ana e policisë së Kosovës, nga 1 janari prej kur ka filluar implementimi i ligjit të ri për kundërvajtje.

Sipas Majorit Jeton Rexhepi, ligji i kundërvajtjes u formua vitin e kaluar ndërsa u funksionalizua më 1 janar të këtij viti.

“Policia nga janari ka filluar ta impelmentojë Ligjin për Kundërvajtje. Bazuar në të dhënat mund të ju themi se nga fillimi nga 1 janari deri më 9 janar të këtij viti janë shqyrtuar 7732 tiketa të trafikut. 7256 për persona fizik, 4 gjoba kundërvajtje për persona juridik dhe sa i përket numrit të tiketave 285 gjoba për pikë negative”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se me qëllim që të përmirësohet gjendja në komunikacion apelon te pjesëmarrësit që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të jenë kontribuues.

Bajram Krasniqi nga Departamenti i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tha se ligji për kundërvajtje është bërë për të vetëdijesuar pjesëmarrësit në komunikacion.

Sipas tij, për Policinë e Kosovës është shqetësuese çdo lloj dukurie ndërsa tha se me aktivitetet e tyre synojnë që t’i minimizojnë aksidentet.

Ligji për Kundërvajtje do të jetë i njëjtë edhe për shtetasit e huaj në Kosovë.

http://kallxo.com/gjoba-te-kushtueshme-per-parandalim-te-aksidenteve/

“Sa u përket shtetasve të huaj ligji për trafikun rrugor është i njëjtë. Nëse kemi të bëjmë me shofer që kanë autorizime të shteteve te tjera atëherë ne jemi te detyruar që ti konfiskojmë dokumentin i cili nuk e lejon personin të dal jashtë Kosovës pa e kryer obligimin që ka, pavarësisht se çfarë gjobe ka, ndërsa për ata të Kosovës janë ato që i thamë”, tha Majori Rexhepi.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas Rexhepit ka 11.7% rënie të numrit të aksidenteve.

“Deri më sot në këtë periudhë kemi 3 persona qa kanë humbur jetë në aksidente”, tha ai.