80% e veturave që përdor Policia janë vetëm për skrap

80% e veturave të Policisë së Kosovës kanë kaluar afatin 7 vjeçar të shfrytëzimit dhe mbi 250 mijë kilometra të kaluara.

Policia e Kosovës ka arsyetuar shkrimin e KALLXO.com në lidhje me raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit se 96 vetura janë duke pritur servisimin, 16 prej tyre që nga viti 2016, 35 nga viti 2017 dhe 45 të tjera që nga viti i kaluar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia e Kosovës ka thënë se vetëm gjatë ditës Flota Operative e Automjeteve mirëmban mesatarisht 36 automjete policore.

“Ndërsa për sa i përket automjeteve të cilat  presin riparim që nga viti 2016 theksojmë se, Policia e Kosovës shfrytëzon automjetet pa ndërprerë 24/7 në realizimin e detyrave policore. Shumica dërmuese e automjeteve që i ka në posedim janë me të vjetra se 7 vite dhe si rezultat i punës së pandërprerë janë të amortizuara dhe kanë numër të madh të kilometrave teë kaluar”, thuhet në përgjigjen e pPolicisë për KALLXO.com.

Gjithashtu Policia ka thënë se që nga viti 2009 për shkak të procedurave të komplikuara të Prokurimit dhe mungesave buxhetore Policia e Kosovës nuk ka pasur mundësi të blej automjete të reja.

“Duke filluar nga viti 2015 Policia e Kosovës ka blerë rreth 150 automjete të reja të cilat as për së afërmi nuk kanë mundur ta zbusin gjendjen e krijuar. Rreth 80% e automjeteve që Policia e Kosovës i shfrytëzon kanë kaluar afatin 7 vjeçar të shfrytëzimit dhe kilometrat e kaluara (mbi 250,000 km). Vjetërsia e automjeteve dhe amortizimi si rezultat i punës se pandërprerë të automjeteve ka sjellë një situatë që këto automjete kërkojnë riparime të shpeshta”, thuhet tutje në përgjigje.

Madje, Policia ka thënë se që nga mesi i vitit 2015 Policia e Kosovës nuk ka pas kontratë për pjesë rezervë për automjete.

Kjo sipas tyre është shkaktuar për shkak të pamundësisë së përfundimit me sukses të procedurave të Prokurimit “pa fajin e Policisë së Kosovës”.

“Herën e parë Kompania fituese pa arsye është tërhequr nga tenderi në fazën e nënshkrimit të kontratës duke aluduar në pamundësinë e liferimit të pjesëve origjinale siç është kërkuar në dosje të tenderit përkundër faktit se gjatë gjithë procedurës ka deklaruar se do t’i sjellë. Në këtë rast Polica e Kosovës ka bërë kërkesë për konfiskim të sigurimit të tenderit. Herën e dytë në fazën përfundimtare të vlerësimit Kompania fituese është tërhequr nga tenderi duke refuzuar të japë llojin e pjesëve ekuivalente që ka ofertuar se do t’i liferojë. Lidhjen e Kontratës për pjesë rezervë për automjete kemi arritur ta realizojmë në vitin 2017. Për arsye të mosrespektimit të kushteve të kontratës nga Operatori Ekonomik gjatë implementimit, edhe kjo kontratë është dashtë të ndërprehet. Mungesa e pjesëve e bën të pamundur riparimin e automjeteve”, thuhet në përgjigjet e Policisë së  Kosovës dhënë për KALLXO.com.

ZKA ka vërejtur se menaxhimi me flotën e automjeteve të PK-së ku bëhet servisimi dhe riparimi i automjeteve vazhdon të jetë ende i dobët, vazhdon të ketë vonesa të stërzgjatura në riparimin e automjeteve, ku një numër i tyre ishin në pritje për riparim që nga viti 2016.

Sipas policisë, Flota Operative e Policisë se Kosovës, edhe pse në mungesë të pjesëve, duke bërë riparime dhe modifikime të pjesëve të vjetra vazhdimisht e ka zvogëluar numrin e automjeteve në pritje.

“Policia e Kosovës i jep një rëndësi të veçantë Flotës Operative dhe edhe përkundër vështirësive, ndër të cilat edhe u shtjelluan më lartë, bën një menaxhim të mirë të situatës duke e mbajt mobilitetin. Menaxhimi i mirë i Flotës Operative vërtetohet edhe nga raporti i IPK (Raport i Inspektimit mbi menaxhimin e Flotës së Automjeteve dhe pajisjeve policore, Nr. 1/2017) i cili është publik”, thuhet në përgjigje.

Policia ka thënë se në raportin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ndër të tjera ceket e gjetura mbi uljen e shpenzimeve të mirëmbajtjes së automjeteve mbi 70 % përkundër vështirësive dhe vjetërsisë së automjeteve, si dhe rritja e dukshme e numrit të automjeteve aktive/operative.

KALLXO.com ditëve të kaluara ka raportuar për adutimin që i është bërë Policisë së Kosovës nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Në këtë raport janë vërejtur probleme me të cilat është përballur Ministria e Punëve të Brendshme, specifikisht Policia e Kosovës.

Raporti i auditimit ka gjetur se 96 vetura të policisë presin servisimin në flotën e Policisë. Në pritje për servis janë 16 vetura nga viti 2016, 35 nga viti 2017 dhe 45 të tjera që nga viti i kaluar.

Makinat sipas raportit kanë dëmtime dhe janë jashtë funksionit.

Gjetja e ZKA-së, thotë se servisimi dhe riparimi i automjeteve varësisht nga prishjet për të cilat janë dërguar në Flotën e Policisë, sipas rregullave të tyre duhet të kryhet brenda një periudhë optimale 1 deri në 3 muaj.

https://kallxo.com/skandaloze-veturat-e-policise-presin-servisimin-qe-nga-viti-2016-te/

.