Foto: Ilustrim

8 të vdekur nga gripi në Kosovë

Instituti i Shëndetit Publik njofton se janë raportuar afro 30 mijë raste të dyshimta me grip sezonal.

Më së shumti raste janë raportuar në Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj, por askund ende nuk është kaluar pragu epidemik.

Sipas Institutit, gripi sezonal në vend ka aktivitet me intensitet të mesëm me tendencë rritjeje në javët në vijim.

Trendi i rritjes është më i ulët se vitin e kaluar.

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 20 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 570 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 190 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A (pozitiviteti 32.3 %). Sipas subtipit 128 mostra Influencë A e pa-subtipizuar dhe 62 mostra rezultojnë pozitive në sub-tipin AH1pdm09 që mbizotëron edhe në vendet e rajonit dhe të Europës.

Nga Klinika Infektive dhe Klinika Emergjente në këtë sezon janë raportuar tetë raste të vdekjes të konfirmuara me Influencë A, katër prej tyre me subtipin AH1pdm09.

Pacientët kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

Sipas grup-moshës rastet janë: 0-4 vjeç (42 raste), 5-14 vjeç (24 raste), 15-29 vjeç (42 raste), 30-44-vjeç (39 raste), 45-60 vjeç (32 raste ) dhe mbi 60 vjeç  -11 raste.

Rekomandimet për Institucionet shëndetësore

Rekomandimet e Institutit Kombëtar duhet të ndërmerren në mënyrë strikte dhe të kontrollohet efekti i këtyre masave në mënyrë rigoroze:

  • Ngritja maksimale e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë.
  • Kontrolli maksimal dhe inspektimet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private),
  • Të gjitha rastet e dyshimta në grip të vazhdohet të evidentohen dhe raportohen nga të gjitha Institucionet Publike dhe Private Shëndetësore.
  • Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private), të kenë të përgatitura dhoma të veçanta (posaçërisht në Klinikën Infektive të QKUK-së si dhe Institucionet tjera Spitalore të vendit).
  • Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private), duhet që të shtohet kontrolli i brendshëm profesional në baza ditore duke implementuar rekomandimet e instancave të larta.
  • Të rritet në maksimum përkujdesja e stafit mjekësor dhe jo mjekësor ndaj higjienës personale dhe institucionale.
  • Të ndërpriten tërësisht vizitat e pa nevojshme si dhe prezenca e personave të pa uniformuar në Institucionet Spitalore.
  • Të përdoren nga personeli shëndetësore masat mbrojtëse konform udhëzimeve.
  • Të vendosen materialet propagandistike dhe edukative për parandalimin e gripit në Institucionet Shëndetësore, shkollore apo entet publike ku tubohen qytetarët- nga përgjegjësit e tyre.
  • Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (përfshirë gjithë qendrat e mjekësisë familjare ne vartësi te saj), Spitalet Publike Rajonale dhe spitale e qyteteve, përfshirë edhe ambulancat dhe spitalet private do ti raportojnë informatat rreth rasteve të rënda klinike mbi baza ditore direkt (sipas udhëzimeve) dhe me mjetet më të shpejta të Institutet rajonale të Shëndetësisë Publike.
  • Institutet rajonale do ti përpunojnë të dhënat dhe varësisht nga ecuria epidemiologjike raportojnë menjëherë Institutin Kombëtar me mjetin më të shpejt të komunikimit dhe dorëzojnë raportet javore të kompletuara në Institutin Kombëtar.
  • Marrja e mostrave për konfirmim laboratorik do të bëhet vetëm te pacient me simptome klinike të bazuara në definim të rastit në Klinikën Infektive.
  • Personeli i Klinikës Infektive i dërgon mostrat për konfirmim laboratorik dhe raporton për të gjitha rastet e hospitalizuara duke plotësuar pyetësorin përkatës.
  • Akoma mund të vaksinohen grupet e riskut (punëtorët shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike).