I akuzuari Zoran Vukotiq në sallën e gjykimit - Foto: KALLXO.com

76-Vjeçari Qan në Gjykatë Kur Kujtoi Vrasjen e 4 të Rinjve në Vushtrri

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës po vazhdon gjykimi i Zoran Vukotiqit, i akuzuar për vrasjen e katër shqiptarëve në qytetin e Vushtrrisë.

Në seancën e mbajtur sot dëshmi ka dhënë 76-vjeçari Faik Musa.

Ani pse në moshë të shtyrë dhe me gjithë vështirësitë që kishte si në të parë ashtu edhe në të dëgjuar, dëshmitari rrëfeu gjithë çfarë kishte përjetuar para dhe gjatë ditës së 5 Majit 1999, kur ishin vrarë katër shqiptarë në shtëpinë e Hamdi Fazliut në Vushtrri.

Faik Musa është ish-punëtor i Kooperativës Bujqësore në Vushtrri, në të cilën tha se kishte punuar për 26 vjet, vend ky në të cilin shqiptarët ishin maltretuar dhe kishin qëndruar gjatë kohës se luftës.

Pas pyetjes se prokurorit Flynn se a i kujtohej lufta në Kosovë, dëshmitari tha që as sot nuk i largohej nga mendja ajo kohë.

“Po kurrë nuk më largohet nga mendja. Jemi largu prej shtëpisë, kemi shku te një kushëri në Samadrexhë të Vushtrrisë. Unë kam qenë me gruan, fëmijët, miku im, Idriz Balaj me familje gjithsej kemi qenë 25 anëtarë“, tha dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se pasi që kishin mbërritur në Vushtrri ishin vendosur në një shtëpi më 5 maj.

Me pas tregoi se si i akuzuari Zoran Vukotiq dhe një njeri tjetër kishin shkuar në shtëpinë e tyre, i kishin rrahur, u kishin marrë para dhe arin.

“Kemi shku, kemi hi në një shtëpi më 5 Maj. S’kemi pasë bukë as kurgjo. Në orën 11 ka ardhë e ka hi me automat me një koleg të vetin, kur ka hi me maskë veç sytë ja kom pa“, dhe dëshmitari.

I pyetur nëse e njeh të akuzuarin, ai u drejtua kah Zoran Vukotiq dhe tha: “Ai është. Prej syve e njoh”.

Tutje dëshmitari tregoi ngjarjen si kishte ndodhur pasi të dy kishin hyrë në shtëpinë e tij.

“Ai me maskë e ka pas automatin. Unë veç sytë ia kam parë. Por 20 vite kanë kaluar unë tash jam 76 vjeç dhe nuk I mbaj mend mirë. Ka hi mrena, 25 familjarë kemi qenë, si ka hi ka bo: “Mashallah, mashallah!”. Ka qitë automat na ka mbulu tymi dhe gratë e fëmijët kanë bërtitë. Na ka marrë dukat, na ka marrë pare, na ka ulë poshtë të gjithëve që kemi qenë në këmbe prej tute. Qato pare më kanë shpëtu se ka pasë me m’pre në fyt shoku i tij. Ky i ka thanë: Mos e prej se paska pare“, u shpreh dëshmitari.

http://kallxo.com/deshmitarja-zoran-vukotiq-e-detyroi-nje-femije-te-kendoje-serbisht/

Tutje dëshmitari tregoi se i kishin ndarë në dy dhoma, ndërsa njëri kishte marrë një vajzë, e kishte dërguar në katin sipër shtëpisë, kurse vajza kishte filluar të bërtiste, pastaj nëna e saj kishte shkuar i kishte dhënë 400 marka njeriut të cilin dëshmitari e identifikonte si njeriu pa maskë – kolegu i Zoran Vukotiq, sipas dëshmitarit.

Ndërsa për një djalë 13 vjeçar dëshmitari tregoi se e kishte qit mbi tri tavolina që kishin qenë në atë dhomë, ndërsa Zorani i kishte thënë: “A e don Sllobodanin?“. Kur prindërit i kishin thënë fëmijës që të përgjigjej: “Thuaj po!“, atëherë ai i kishte goditur me shuplakë në fytyrë.

Pasi që kishin dalë nga shtëpia e tij, iu kishin kërcënuar se deri të nesërmen nëse do t’i gjenin aty nuk do t’i linin të gjallë, ndërsa ata ishin larguar nga ajo shtëpi dhe kishin shkuar te varrezat në Vushtrri.

Kurse kur dëshmitari tregoi se ishin vrarë katër shqiptarët në shtëpinë afër shtëpisë ku ishte vendosur, dëshmitari duke i thënë fjalët “i kanë vra katër djem të ri“, filloi të qajë me të madhe në Gjykatë.

Ndryshe, kjo është vetëm njëra nga tri aktakuzat e ngritura kundër Zoran Vukotiq, ku po akuzohet për vrasjen e katër shqiptarëve si dhe rrahjen dhe maltretimin e shumë të tjerëve në rrugën e atëhershme “Emin Duraku“.

http://kallxo.com/cifti-nga-vushtrria-rrefen-si-u-rrahen-nga-zoran-vukotiq/

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.