Raporti i realizuar nga QKSS

75 për qind e qytetarëve e shohin ekstremizmin e dhunshëm si kërcënim për sigurinë e Kosovës

Rreth 75 për qind e të anketuarve besojnë se ekstremizmi i dhunshëm paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Ky është rezultati i Barometrit Kosovar të Sigurisë, me temën “Perceptimet e qytetarëve dhe përgjigja e komunitetit ndaj luftëtarëve të huaj të kthyer në Kosovë”, të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Të dhënat e raportit të QKSS-së tregojnë se 62 për qind, ose shumica e të anketuarve, thonë se nuk do të pranonin ish-luftëtarë të kthyer në lagjen ose komunitetin e tyre, ndërsa vetëm 25 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se do të pranonin të kthyerit me mbikëqyrje të vazhdueshme nga shteti.

Rajonet si Prishtina, Mitrovica, Peja, Gjakova, Ferizaj dhe Mitrovica e Veriut kanë hezituar të pranojnë luftëtarët e kthyer në komunitetin e tyre. Të anketuarit nga Gjilani dhe Prizreni kanë qenë më të hapur për t’i pranuar këta individë në komunitetin e tyre.

“Për shembull, rreth 84 për qind e të anketuarve nga Gjakova deklaruan se këta individë paraqesin rrezik si dhe rreth 75 për qind e të anketuarve nga Prishtina besojnë se të kthyerit janë kërcënim për sigurinë kombëtare. Me përjashtim të të anketuarve nga Gjilani, ku vetëm 54 për qind besojnë se luftëtarët e huaj paraqesin rrezik”, theksohet në raport.

Rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS)të vitit 2017 tregojnë se gratë i shohin luftëtarët e kthyer rrezik më të lartë në krahasim me burrat.

“Kjo gjetje konfirmohet nga perceptimet mbi trajtimin e luftëtarëve të huaj të kthyer dhe pranimin e tyre në komunitet, me 69 për qind të grave të anketuara që pohojnë se nuk do të pranonin luftëtarët e kthyer në komunitetin e tyre, krahasuar me 53 për qind të të anketuarve burra që pohuan të njëjtën gjë”, tregojnë rezultatet e BKS-së.

Në këtë raport është matur edhe besimi në institucionet kryesore (qeveria, kuvendi, gjykatat, prokuroria dhe Policia e Kosovës) që janë të përfshira në zbatimin e Strategjisë kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Besimi në institucionet e lartpërmendura është shumë i ulët krahasuar me Policinë e Kosovës, e cila shquhet si një nga institucionet më të besueshme. Besimi për BIK-un vazhdon të bie në krahasim me dy vitet e fundit.

“Vetëm 14 për qind e qytetarëve të anketuar kanë besim në Qeverinë e Kosovës, 12 për qind e të anketuarve i besojnë Kuvendit të Kosovës krahasuar me 66 për qind e të anketuarve që nuk kanë besim në Kuvendin e Kosovës”, thotë raporti.

Të dhënat e mbledhura nga ky raport tregojnë se një nga sfidat kryesore të procesit të ri-integrimit të luftëtarëve të huaj është ngritja e vetëdijes për rëndësinë dhe përgjegjësinë e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës për të ndihmuar në rehabilitimin e luftëtarëve të huaj.

“Shumica e komuniteteve në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë për programet e reja të integrimit të luftëtarëve të huaj, dhe për të mbështetur institucionet shtetërore në programet e rehabilitimit, por një pjesë e madhe e komuniteteve në zonat e kufirit me Maqedoninë janë stigmatizuar, si rezultat i raportimeve negative që janë bërë nga mediat ndërkombëtare”, potencohet në raport.

Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) është program i veçantë i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Qëllimi parësor i tij është që ta masë besimin e publikut ndaj institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë, si dhe të masë perceptimin e qytetarëve lidhur me kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë në Kosovë.