Shpallja e aktgjykimit për krim të organizuar që lidhje me drogën | Foto: KALLXO.com

7 Vjet Burg e 5000 Euro Gjobë për 5 Kilogram Heroinë

Gjykata Themelore në Prishtinë gjeti fajtor të akuzuarin Lilaj për krim të organizuar që ndërlidhej me heroinën në peshë prej 4.925,17 gramë që u gjet te Lilaj dhe personat tjerë.

Përveç dënimit të shqiptuar me burgim, Lilaj u dënua me gjobë në vlerë prej 5000 eurove.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, arsyetoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 7 vjetësh duke thënë se nuk ka pasur mundësi që të aplikojnë ndonjë rrethanë lehtësuese, andaj ka shkuar me minimumin e dënimit të paraparë, ndonëse të bashkëakuzuarit, tanimë të dënuar, janë dënuar me nga 5 vjet burgim.

“Bindshëm se të gjithë kanë hyrë në shtëpinë e Nikçit (personi që u ka dorëzuar heroinën), gjë e cila vërteton se të gjithë e kanë ditur se për çfarë bëhet fjalë. Po ashtu rrethanë bindëse është edhe qëndrimi vizuel i vet të akuzuarit i cili është i vetmi person që është duke vrojtuar rrethin se mos dikush po përgjon”, tha Kalludra.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar ishin edhe Tonin Greme, Ahmet Isufaj, Altin Allushi e Astrit Hasanaj të cilët kishin pranuar fajësinë, së bashku me Lilajn, por më pas çështja ishte kthyer në rigjykim.

Prokurorja bëri të ditur se pasi që është liruar nga paraburgimi i akuzuari Hasanaj, ai sot e kësaj dite gjendet në arrati.

Sipas prokurorisë, Greme, Isufaj dhe Lilaj më 19 qershor të vitit 2011 kanë hyrë në territorin e Kosovës nga pika kufitare e Morinit, ku janë takuar me Altin Allushin e Astrit Hasanajn, për të vazhduar rrugën me makinat  e tyre drejt shtëpisë së Petrit Nikçit në Pejë.

Për një shumë prej 1 mijë e 400 eurosh ata kanë bindur Altin Allushin që ta bëjë transportimin e lëndës narkotike, duke krijuar prapa tabelës së përparme të makinës së Allushit, një vend të fshehtë për drogën.

Substancën narkotike të tipit heroinë, të vendosur në dhjetë paketime, me peshë 4.925,17 gramë, të akuzuarve Greme, Isufaj e Lilaj, ua ka dorëzuar Petrit Nikçi.

Për të ai ka marrë 55 mijë euro, 5 mijë nga të cilat të njëjtën ditë ia ka dhënë Astrit Hasanajt.

Gjatë rrugës së hyrjes për në Shqipëri, më 19 qershor 2011, policia ka ndaluar Altin Allushin në fshatin Strellc të Deçanit, duke ia zbuluar brenda makinës drogën.

Të njëjtën ditë janë arrestuar në Prizren Shpend Lilaj, Ahmet Isufaj dhe Tonin Greme, ndërsa Petrit Nikçi e Astrit Hasanaj janë kapur në Pejë.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/i-akuzuari-per-narkotike-isha-me-njerez-te-gabuar/