68 Mijë Euro Fitimi i Humbur i Diturie Hoxhës

Rreth 68 mijë euro është fitimi i humbur i Diturie Hoxhës që nga koha kur u largua nga puna, në shtator të vitit 2012, e deri në fund të muajit shtator 2015. Kështu tregojnë të dhënat e ekspertit financiar Aziz Berisha, të cilat i ka paraqitur para gjykatës në procesin ku Diturie Hoxha është paditëse e ish-punëdhënësi i saj “ProCredit Bank” pala e paditur.

Sipas ekspertit, kjo shumë paraqet fitimin e humbur të paditëses për shkak të mosmarrjes së pagave nga momenti i largimit nga puna deri në ditën e ekspertizës. Sipas tij, në ekspertizë janë zbritur kontributet pensionale dhe tatimi në pagë siç përcaktohet me legjislacion.

Paga bruto sipas kontratës ishte 1.900 euro në muaj. Duke eliminuar kontributet,  fitimi i humbur në bazë të pagës netto sipas ekspertizës për këtë periudhë është rreth 68 mijë euro.

Përfaqësuesi i “ProCredit Bank”-ës, avokati Kujtim Kërveshi, ka kërkuar nga eksperti të sqarojë nëse e ka kontrolluar pasqyrën e Trustit Pensional lidhur me llogaritjen e pagave të paditëses pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Eksperti Aziz Berisha deklaroi se nga shtatori i 2012 deri në kohën e ekspertizës, në shtator 2015, Diturie Hoxha nuk ka pasur asnjë të hyrë dhe nuk i janë paguar në Trustin Pensional kurrfarë kontributesh.

Kërveshi e kundërshtoi ekspertizën ashtu siç është paraqitur sepse, sipas tij, ekspertiza është bërë për një periudhë që nuk mbulohet me kontratë. Sipas avokatit, paditësja ka pasur një kontratë me afat të caktuar.

Ai i propozoj Gjykatës që të kërkojë nga eksperti pasqyrën e llogarisë së Trustit Pensional të paditëses për periudhën 1 shtator 2012 deri më tani dhe eksperti të paraqesë variantin e llogaritjes së pagave nga 7 shtatori 2012 deri më 12 janar 2013, kur ka pasur të skadojë kontrata.

Këto propozime u pranuan nga Gjykata, e cila e obligoi ekspertin financiar që ato t’i paraqesë si provë.

Vahide Braha, avokate e paditëses Diturie Hoxha, i kundërshtoi deklarimet e Kërveshit lidhur me kontratën me afat të caktuar.

“Me dëgjimin e dëshmitarëve, dëgjimin e paditëses dhe duke marrë parasysh pozitën që ishte Dituria kuptohet se ka qenë një kontratë me afat të pacaktuar”, tha Braha.

Diturie Hoxha në seancat e kaluara e ka treguar pozitën që e ka pasur në bankë. Ajo ka thënë se ka qenë udhëheqëse e trajnimeve në bankë.

Në sëancat e kaluara, Hoxha ka deklaruar se largimin e saj nga puna e konsideron të dhunshëm dhe se largimi i saj është bërë pak muaj pasi që ka nisur punën. Ajo pretendon se marrëdhënia e punës i është ndërprerë në mënyrë të kundërligjshme.

Diturie Hoxha e kishte lënë vendin e saj të punës si drejtoreshë e Shoqatës së Bankave të Kosovës që të punojë në bankën “ProCredit” në janar të vitit 2012.

Hoxha thotë se ishte ftuar vetë nga banka dhe në korrik të atij viti i përfundonte periudha provuese. Sipas kontratës, mosndërprerja nënkuptonte vazhdim automatik të kontratës si dhe performancë të kënaqshme.

Pas kësaj, Hoxha kishte shkuar në pushim vjetor.

Një javë pas kthimit nga pushimi, në fillim të muajit shtator 2012, ajo thotë se iu kërkua dorëheqja nga menaxhmenti i bankës me kompensim të dy pagave.

Seanca e radhës u caktua të mbahet 13 prill 2016, ku palët ndërgjyqësore do t’i paraqesin fjalët e tyre përfundimtare.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me këtë dhe raste të tjera që kanë të bëjnë me ish-punëtorët e “ProCredit Bank”-ës.

http://kallxo.com/paditesja-e-bankes-e-quan-te-dhunshem-largimin-nga-puna/

http://kallxo.com/propozon-ish-koleget-si-deshmitare-ne-gjykimin-kunder-pro-credit-bankes/

”Pro Credit Bank”-Largimet e Dyshimta të Punëtorëve

Pro-Credit Paditet nga Punëtorët

http://kallxo.com/fillon-gjyqi-i-punetores-kunder-procredit-bank/

http://kallxo.com/albana-morina-kerkon-mbi-140-mije-euro-demshperblim-nga-procredit-bank/