56 nxënës të përjashtuar nga testi i maturës

56 nxënës janë identifikuar si shkelës të rregullave të testit shtetërorë të maturës, të njëjtit janë përjashtuar nga testi.

Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, para anëtarëve të Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës.

Ministri Bytyqi ka thënë se nxënësit e përjashtuar do kenë të drejtën të hyjnë në test në afatin e dytë.

“56 nxënës janë  identifikuar si shkelës të rregullave dhe janë përjashtuar nga testi. E drejta e tyre është në afatin e dytë të hyjnë në test. 8 administrator kanë bërë shkelje dhe janë përjashtuar nga mbarëvajtja e testit të maturës”, ka thënë ministri Bytyqi.

Kjo deklaratë e ministrit erdhi pas pyetjeve që iu parashtruan nga deputetët anëtarë të Komisionit Për Arsim Shkencës dhe Teknologji.

Ismajl Kurteshi, pyeti rreth shpërndarjes së testit, një problem ky që po përsëritet sa  herë që organizohet mbajtja e testit të maturës.

“Sa i përket shpërndarjes së testit të maturës a jeni duke e hetuar këtë rast dhe ku keni arrit në këtë drejtim”, ka pyetur Kurteshi.

Në përgjigjen e tij ministri Bytyqi ka deklaruar se kanë qenë përpjekjet maksimale të të gjithë administratorëve që mos të ketë probleme.

“Testi ka qenë shumë më i mirë se çdo vit tjetër. Publikimi ka ardh nga nxënësit edhe pse administratorët kanë kërkuar mos të hynë me telefon. Janë marr masa konkrete ndaj shpërndarësve të testeve. Në një regjion të kufizuar dëmet kanë qenë shumë të vogla. Kësaj radhe jemi afër realitetit cilat janë rezultatet do të presim”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka deklaruar se çdo shkelje që është evidentuar janë njoftuar edhe organet kompetente.

“Ka pas tentim të kopjimit edhe në shtypshkronjë. Është identifikuar personi është njoftuar polica por testi nuk është arrit të shpërndahet”, ka thënë ministri Shyqiri Bytyqi, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës.