Testi i Maturës 2019 - Foto: KALLXO.com

53 nxënës largohen nga Testi i Maturës në Gjilan dhe Ferizaj

Pas Prishtinës, sot është mbajtur Testi i Maturës në rajonin e Gjilanit dhe të Ferizajt, i cili përsëri u publikua në mediat sociale.

E në lidhje me këtë Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë të ditur se janë përjashtuar 53 nxënës.

“Komisioni në bazë të raporteve të pranuara nga  regjionet të cilat sot i janë nënshtruar testit të maturës, ka mbledhur edhe të dhënat lidhur me gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, ku në bazë të këtyre të dhënave që kemi, rezulton se vetëm gjatë ditës së sotme për shkak të posedimit dhe përdorimit të telefonave dhe mos përfilljes së rregullave tjera të këtij procesi, janë përjashtuar nga procesi 53 nxënës, të cilët do ta humbin këtë afat të testimit”, thuhet në komunikatë për media.

Tutje KShM ka bërë të ditur se gjatë raporteve të pranuar kanë hasur në shkelje nga një komisioner dhe dy administrues.

“Gjithashtu, gjithnjë sipas këtyre raporteve të pranuara, për një komisioner dhe për dy administrues të tjerë, janë duke u vërtetuar provat për shkelje të rregullave dhe nëse vërtetohen shkeljet, emrat e tyre do të publikohen dhe do të iniciohen masat sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje.

https://kallxo.com/testi-i-matures-del-online-edhe-ne-ferizaj-e-gjilan-largohen-9-nxenes/

Nesër testi pritet të mbahet në rajonin e Prizrenit dhe atë të Gjakovës.

Testi që pritet t’i nënshtrohen rreth 27 mijë nxënës është ndarë edhe këtë vit në regjione.

Renditja e regjioneve sipas tërheqjes së shortit do të jetë e njëjtë edhe në pjesën e dytë të Testit të Maturës, e cila fillon më 19.06.2019 në regjionin e Prishtinës, më 20.06.2019 në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit, më 21.06.2019 në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës dhe më 22.06.2019 në regjionin e Pejës dhe Mitrovicës.