Foto ilustruese nga arkiva - Foto: KALLXO.com

5 të vdekur në aksidentin afër Suharekës

Një aksident tragjik në magjistralen Prizren – Prishtinë, në afërsi të Suharekës ka ndodhur rreth orës 13:20.

Si pasojë e aksidentit kanë vdekur pesë persona, tre të rritur dhe dy fëmijë.

“Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa emergjenca ka konstatuar vdekjen e personave. Pesë persona kanë vdekur, dy fëmijë, një çift dhe nëna e burrit i cili ka qenë duke vozitur”, ka thënë Vesel Gashi, rreshter në Prizren.

Sipas raportit, shkaku i aksidentit dyshohet të kenë qenë reshjet e shiut, personi i cili ishte duke drejtuar makinën ka rrëshqitur dhe është ndeshur me autobusin i cili ishte duke ardhur në krahun e kundërt.

“Viktimat e këtij rasti janë familjarë dhe ishin bashkëatdhetarë të cilët kanë ardhur për pushime”, ka thënë Gashi.

Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, aksidenti ka ndodhur në pjesën e quajtur Biraq afër Suharekës.

“Vdekjet janë konfirmuar nga emergjenca e cila ka dalë në vendin e ngjarjes”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Sipas zëdhënësit të Policisë, aksidenti ka ndodhur në mes të një automjeti të llojit BMW dhe një autobusi.