Foto: Kallxo.com

5 protestues kundër logos, ndahen të zhgënjyer nga takimi me FFK

Protesta e vogël e organizuar nga kundërshtuesit e logos së Federatës së Futbollit të Kosovës, ka mbaruar qetësisht me zhgënjimin e protestuesve.

Grupi i protestuesve i udhëhequr nga dizajneri Arben Lezi, u takua me sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, dhe me nënkryetarin Agim Ademi.

Lezi tha se nuk është arritur rezultati që grupi protestues e kërkonte.

“Na thanë nga Federata që logoja është aprovuar nga i ndjeri (Fadil) Vokrri, nuk kemi mundësi ta ndryshojmë para dy viteve, edhe nëse duam ta ndërrojmë atë”, tha ai.

Po ashtu Lezi tha se shpreson në përfshirjen e federatave ndërkombëtare, në rastin kur do të ketë ndryshim të logos.

“Federata po na thotë që UEFA e FIFA nuk na lejon ta bëjmë ndërrimin e logos pa u bërë 2 vite, besoj që kur të vijë te rasti i ndërrimit do të përfshihen edhe ata në proces”, tha ai.

Kundërshtimi i logos, sipas Lezit ka ardhur për shkak të dizajnit, siç tha ai, amatoresk të saj.