Stadiumi i Pozheranit, Foto: Kallxo.com

5 muaj pas nënshkrimit të kontratës, ende nuk kanë filluar punimet në stadiumin e Pozheranit

Kanë kaluar rreth pesë muaj që nga nënshkrimi i kontratës për rivitalizimin e stadiumit të Pozheranit por punimet nga kompania fituese ende nuk kanë filluar.

Kontrata me vlerë prej 419.5 mijë euro për rivitalizimin e stadiumit është nënshkruar me 27 dhjetor të vitit 2017.

“Kompania fituese është zotuar që së shpejti do t’i fillojë punimet”, thuhet në përgjigjen e komunës së Vitisë për KALLXO.com.

Sezoni futbollistik 2017 – 2018 është i pari që skuadra e futbollit “Vllaznia e Pozheranit” ka arritur të jetë pjesë e ligës më të fortë të futbollit në Kosovë.

Gjatë gjithë sezonit të futbollit 2017 – 2018 në Superligën e Kosovës, skuadra e Vllaznisë së Pozheranit ka luajtur ndeshjet si vendas në stadiumin e qytetit të Gjilanit, për shkak se stadiumi i Pozheranit nuk i ka plotësuar kushtet për zhvillimin e ndeshjeve të Superligës.

Procedurat për ta bërë stadiumin e Pozheranit të përshtatshëm për zhvillimin e ndeshjeve kanë filluar qysh në muajin korrik të vitit 2017.

Realizimi i këtij projekti do të bëhet nga grupi i Operatorëve Ekonomik: N.N.P.T. “Engineering “; N.N.SH. “P & I” dhe sipas kontratës është parashikuar që punët të përfundojnë brenda 24 muajve.

Sezoni futbollistik 2017-2018 në Superligën e Kosovës është një lojë larg fundit kurse ekipi i Vllaznisë së Pozheranit radhitet e fundit në tabelë, me 14 pikë të grumbulluara. Në sezonin e ardhshëm skuadra e Vllaznisë do të zhvilloj ndeshjet në Ligën e Parë të Kosovës.

“Loja e parë do të luhet sigurisht pasi që të përfundohen punimet në këtë stadium”, thuhet në përgjigjen e komunës së Vitisë për KALLXO.com.