5 muaj burgim për zyrtarin që regjistroi shtetasin serb në regjistrat civil në Mitrovicë

Ismet Kelmendi i akuzuar se kishte regjistruar si shtetas të Kosovës një të dënuar nga autoritetet e Serbisë, u dënua nga gjykata e Mitrovicës me 5 muaj burgim me kusht.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues i përberë nga Radosllav Markoviq dhe anëtaret Nurije Shala dhe Tatjana Virijeviq, ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari Ismet Kelmendi për dy vite nga plotfuqishmëria e aktgjykimit nuk kryen asnjë vepër tjetër penale.

Ismet Kelmendi akuzohej nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës për regjistrimin e një shtetasi serb, të cilit i ka lëshuar certifikatën e vendbanimit, atë të shtetësisë dhe ekstraktin e lindjes, raporton KALLXO.

Me veprimin e Ismet Kelmendit, Sllavisha Stanisavljeviq, i cili nga autoritete e Serbisë ishte dënuar për vepër penale në maj të vitit 2012, është regjistruar si shtetas i Republikës së Kosovës, duke u pajisur me letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës.

Me këtë Ismet Kelmendi, zyrtar i gjendjes civile në fshatin Lipë komuna e Zveçanit, ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton KALLXO.

Paraprakisht në gjykatë u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor ku pas leximit të akuzës nga prokurori Ismet Ujkani, i pandehuri Kelmendi u deklarua se e ndien vetën fajtor duke shprehur keqardhjen për atë çfarë kishte bërë.

“Kam qenë i ngarkuar gjatë asaj kohe me punë kanë qenë shumë palë dhe kam qenë i vetëm derisa kam kryer detyrën, kam pasur ngarkesë në punë prandaj kam gabuar, me vjen keq për rastin “, ka deklaruar i pandehuri Kelmendi para trupit gjykues.

Kelmendi i ka premtuar gjykatës se më asnjëherë nuk do të përsëris një vepër të tillë.

Pas kësaj është dhënë edhe fjala përfundimtare nga ana e prokurorit Ismet Ujkani dhe mbrojtësi i të pandehurit avokati Lutfi Tahiri.

Prokurori Ujkani ka thëne se mbetet në tërësi pranë aktakuzës duke i propozuar gjykatës të akuzuarin ta shpall fajtor sipas ligjit.

Kurse avokati Tahiri për të mbrojturin e tij ka thënë që gjykata të ketë parasysh pranimin e fajësisë nga i mbrojturi tij dhe po ashtu të merr parasysh faktin se i njëjti ka qenë i mbingarkuar me punë, dhe veprën e ka kryer nga pakujdesia.