Foto ilustruese: Pixabay

5 mijë euro shpërblim për lajmërimin e keqpërdorimeve nga zyrtarët e Komunës së Vushtrrisë

Secili qytetar që do të lajmërojë keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe korrupsionin e mundshëm të zyrtarëve komunalë në Vushtrri do të shpërblehet me 5 mijë euro.

Ky shpërblim parashihet në Kodin e etikës për zyrtarët e Komunës së Vushtrrisë, i cili është miratuar sot nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se Tahiri ka miratuar sot edhe Librin e proceseve për menaxhimin e parasë publike të Komunës së Vushtrrisë.

Sipas  njoftimit të Komunës, në procesin e hartimit të këtyre dy dokumenteve të rëndësishme, Komuna e Vushtrrisë është përkrahur edhe nga USAID-i.

“Qeverisja me duar të pastra është prioriteti më i lartë i yni”,  ka deklaruar kryetari Tahiri.