Memorandumi për rregullimin e rrugëve të Shtimes | Foto: MI

480 Mijë Euro për Rrugët Hyrëse të Shtimes

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projektit të rregullimit të rrugëve në hyrje të Shtimes në vlerë prej 480,000 eurove.

Ministria e Infrastrukturës njoftoi se kjo ministri do të bëjë vetëm financimin e projektit, ndërsa Komuna e Shtimes është e obliguar t’i kryejë procedurat e prokurimit.

‘’Me këtë memorandum, MI-ja obligohet të sigurojë mjetet financiare për realizimin e projektit, ndërsa Komuna e Shtimes obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projektit për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të projektit, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së”, njoftoi ministria.

Ministria e Infrastrukturës thotë gjithashtu se komuna është e obliguar të realizojë projektin me kohë dhe pa pengesa.

“Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë”, thuhet tutje në njoftim.

Në prill të vitit të kaluar në “Jeta në Komunë” u zhvillua debat për dy vjetët e qeverisjes lokale në Shtime.

http://kallxo.com/fakte-te-shpejta-per-komunen-e-shtimes/