41 vjet e 8 muaj burg për vrasjen e vitit 2012 në Lipjan

Katër persona u dënuan me 41  vjet e 8 muaj burg për vrasjen e rëndë të Ramadan Demirit, në Lipjan në vitin 2012.

Arian Agushi është dënuar me 21 vjet burgim,  Mentor Agushi me 11 vjet burgim dhe Shpend e Xhezair Agushi janë dënuar me nga 4 vjet e 10 muaj burgim.

Sipas aktakuzës të pandehurit Arian Agushi, Mentor Agushi, Shpend Agushi dhe Xhezair Agushi, akuzoheshin se në bashkëkryerje me dashje e kanë vrarë të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.

Për të akuzuarin  Arian Agushi për veprën penale armëmbajtje pa leje, meqenëse prokuroria kishte hequr dorë, Gjykata ka nxjerrë aktgjykim lirues, ndërsa për veprën shkaktim i rrezikut të përgjithshëm është liruar nga akuza.

Si dhe për të akuzuarin Mentor Agushi për  armëmbajtje pa leje, Gjykata e ka shpallur të pafajshëm.

Ky rast është shqyrtuar për herë të dytë në Gjykatën Themelore të Prishtinës pasi aktgjykimi i parë ishte anuluar nga Gjykata Supreme.

Gjykata Themelore herën e parë  të njëjtit i kishte dënuar me 43  vite burg, ashtu që i akuzuari Arian Agushi ishte dënuar me 19 vite burgim, Mentor Agushi me 14 vite, ndërsa Shpend Agushi dhe Xhevahir Agushi ishin dënuar me nga 5 vite burgim.

Aktgjykim të shkallës së parë e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, me rastin e shqyrtimit të ankesave nga të akuzuarit, përmes mbrojtësve të tyre.

Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës kishte anuluar të dy aktgjykimet dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje.

Sipas aktakuzës të pandehurit Arian Agushi, Mentor Agushi, Shpend Agushi dhe Xhezair Agushi, akuzoheshin se në bashkëkryerje me dashje e kanë privuar nga jeta të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.

Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit me 12 prill 2012, në fshatin Gadime e Epërme, në Lipjan, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me paramendim, kanë shkuar në arën e të dëmtuarit Nuredin Demiri, cili ishte duke punuar me djalin e tij dhe  kishin sulmuar Nuredin Demirin.

Sipas aktakuzës me të shkuar në arën e të dëmtuarit, i akuzuari Mentor Agushi, kishte gjuajtur me revole në drejtim të tij dhe e kishte goditur në këmbën e djathtë.

Ndërsa, Arian Agushi me pushkën e gjuetisë gjuan në drejtim të Ramadan Nuredini, të cilit i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Katër të pandehurit akuzohen edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shitje të paautorizuar të armëve.

Ndërsa, Arian Agushi akuzohet edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi kishte shtënë disa herë me armë në oborrin e stacionit.

Me këto veprime, të akuzuarit, dyshohej se në bashkëkryerje, kishin kryer veprat penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.