Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

4 të Arrestuar për të Shtëna me Armë në Ahengje

Në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar 4 persona të cilët kanë shtënë me armë nëpër ahengje familjare.

Në fshatin Grabovc të Fushë-Kosovës është arrestuar i dyshuari që në një aheng familjar kishte shtënë me armë zjarri.

Njësitë policore në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 11 gëzhoja 9 mm.

Nga i dyshuari është konfiskuar një revole e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistës është liruar.

Përdorim të armës ka pasur edhe në fshatin Prelez të Jerlive në Ferizaj. Në një restorant ka pasur të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar.

Njësiti policor ka takuar të dyshuarin i cili ka dorëzuar armën pistoletë me gaz. I dyshuari është sjellë në stacion i cili pas intervistës është liruar, kurse rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Edhe në Mitrovicë në rrugën “Dëshmorët e Kombit” është arrestuar një person i cili dyshohej se ka shtënë në ajër me armë zjarri në një aheng familjar. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja dhe armën të cilën e ka dorëzuar pronari i dasmës.

Në konsultim me prokurorin i njëjti pas intervistës është liruar e rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.

Një i dyshuar tjetër për armëmbajtje pa leje është arrestuar në rrugën “Mehdi Zabeli” në Vushtrri. I njëjti ka shtënë në ajër me armë zjarri në një aheng familjar.

Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja, një karikator të zbrazët dhe armën të cilën e ka dorëzuar pronari i dasmës. I dyshuari është arrestuar. Në konsultim me prokurorin i njëjti pas intervistës lirohet, kurse rasti në procedurë të rregullt.