Foto KALLXO: Vihet Gurëthemeli i Qendrës së Mjekësisë Sportive Prishtinë

4.8 milionë euro për Qendrën e Mjekësisë Sportive Prishtinë

Në hapësirat e oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sot është vënë gurthemeli i Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit dhe Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive të Kosovës.

Gurëthemelin e kësaj qendre e vuri kampionia olimpike Majlina Kelmendi.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se ky është një hap i rëndësishëm për kujdesin ndaj atyre që po na bëjnë më së shumti krenarë, sikur Majlinda Kelmendi.

“Majlinda dhe sportistët tanë kanë qenë krenaria jonë për vite me radhë. Tani është koha që të ju tregojmë se ne si shtet kujdesemi për shëndetin e tyre. Kjo qendër do të ofrojë kushtet më të mira që sportistët tanë të kryejnë analizat e nevojshme mjekësore, si parakusht për rezultate kulminante”, tha Ismaili.

Ismaili u zotua se do të jetë personalisht ai i cili do të ndjekë nga afër punimet në këtë qendër me interes të madh për sportistët tanë, në mënyrë që punimet të përfundojnë me kohë.

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, tha se qendrat e tilla kanë qenë më se të nevojshme që t’i kemi edhe në vend, pasi që përkujdesja ndaj shëndetit për sportistët është gjëja më themelore drejt suksesit.

“Ky është një lajm i mirë për të gjithë sportistët kosovarë pasi një qendër e tillë me të vërtetë na ka munguar. Unë kam pasur probleme disa herë nga viti 2015 dhe kam kaluar nëpër situata jo të lehta. Kjo qendër do të na ndihmojë shumë në rrugën tonë drejt suksesit”, tha Kelmendi.

Trajneri i Kelmendit, Driton Kuka, tha se shpreson që të gjithë të kuptojnë rëndësinë e kësaj Qendre dhe ajo të përfundojë me kohë.

Qendra e Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim do të kushtojë 4.8 milionë euro, me një sipërfaqe prej 6297 metrash katrorë.

Ky projekt pritet të përfundojë brenda tri viteve. Pas pranimit të federatave kosovare dhe Komitetit Olimpik të Kosovës në arenën ndërkombëtare, kjo Qendër do të lehtësojë punën e ekipeve dhe trajnerëve, por edhe të vetë sportistëve, që të arrijnë rezultate sa më kulminante, të mbrohen dhe të sanojnë lëndimet eventuale.

Në këtë Qendër do të bëhen të mundura kontrollet sistematike të sportistëve, lojtarëve të sporteve të ndryshme. Do të bëhen kontrolle për gjyqtarët e të gjitha sporteve të anëtarësuara në federata ndërkombëtare. Do të bëhen ekzaminimet e performancës për sportistë dhe testet fiziologjike. Do të ketë reparte të ndara për ushtrime fizikale bashkëkohore, përfshirë vendin për fëmijë që aktualisht s’e kemi, e po ashtu për të rritur, sipas specifikave që kanë sëmundjet. Do të ketë edhe basene për hidroterapi dhe shumë shërbime të tjera për sportistët.