30 Ditë Arrest Shtëpiak për Gjykatësen Safete Tolaj

Një muaj arrest shtëpiak është masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata Themelore e Pejës për përgjegjësen e Degës së Gjykatës në Deçan, Safete Tolaj, djali i të cilës është incizuar duke marrë para dhe parcelë toke në këmbim të një vendimi të favorshëm të gjykatës për familjen Kelmendi.

Ndërsa, masa e sigurisë për djalin e gjykatëses, Fisnik Tolaj, është një muaj paraburgim.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtarja e rastit, Lumturije Muhaxheri.

Ajo tha së Gjykata ka aprovuar propozimin e Prokurorisë për shqiptimin e masës së sigurisë.

“Propozimi i prokurores ka qenë për Fisnik Tolaj 30 ditë paraburgim, ndërsa për gjyqtaren Safete Tolaj ka qenë 30 ditë arrest shtëpiak. Nga Gjykata janë aprovuar dy propozimet e prokurores”, tha Muhaxheri për KALLXO.com

Gjyqtarja tregoi se Fisnik Tolaj dyshohet për ushtrimi ndikimi dhe mashtrim, kurse gjyqtarja për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka publikuar xhirime ekskluzive ku Fisnik Tolaj, djali i gjyqtares Safete Tolaj, shihet duke marrë para në këmbim të një vendimi të gjykatës në favor të familjes Kelmendi nga Peja.

Vetëm 16 orë pas publikimit të promos së emisionit, Prokuroria Themelore e Pejës ka autorizuar një aksion kontrolli në shtëpinë dhe zyrat e përgjegjëses së Gjykatës së Deçanit, Safete Tolaj.

Mito nga Djali i Gjykatëses

Prokuroria Intervenon në Deçan, Arrestohet Djali i Gjykatëses

Prokuroria e Shtetit përmes komunikatës njoftoi së përmes platformës KALLXO.com ka kuptuar për dyshimet se djali i gjykatëses ka marrë ryshfet me qellim të përshpejtimit të një lënde në Gjykatë.

Për ketë rast ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, Fisnik Tolaj, djali i përgjegjëses së Gjykatës së Deçanit, Safete Tolaj.

 

http://kallxo.com/prokuroria-konfirmon-arrestimin-per-mito-pas-denoncimit-ne-kallxo-com/

Gjatë intervistës në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, gjyqtarja Safete Tolaj kishte deklaruar së nuk ka qenë  në dijeni së djali i saj ka marrë mito në emër të saj.

http://kallxo.com/reagimi-gjykateses-tolaj-kur-mesoi-per-akuzat-ndaj-djalit-te-saj/

“Drejtësia në Kosovë” do të transmetojë edhe pjesën e dytë të hulumtimit lidhur me marrjen e mitës në emër të gjykatëses.