3 vjet e gjysmë burg për shoferin që goditi për vdekje dy kalimtare në rrugën B

Më shumë se katër muaj nga aksidenti në rrugën B ku mbetën të vdekura dy këmbësore që u goditën nga një veturë, shoferi i veturës është gjetur fajtor dhe dënuar me 3 vjet e gjysmë burg.

 Përmes një njoftimi për media, Gjykata Themelore e Prishtinës njoftoi se i akuzuari për këtë rast është gjetur fajtor dhe dënuar, mirëpo është liruar nga paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

“I akuzuari L.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vitesh e 6 (gjashtë) muaj për veprën penale Rrezikim i trafikut publik nga neni 378 par. 9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

I akuzuari L.M është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 22.10.2018, rreth orës 16:10, në rrugën B – afër “Royall Mall” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij të tipit “BMW”, kishte shkelur Ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve nga pakujdesia, në atë mënyrë duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend kalimin për këmbësor, i kishte goditur këmbësoret L.A dhe F.R e si pasojë e lëndimeve të marra tani të ndjerat kishin ndërruar  jetë në QKUK-ë.

Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 22.10.2018 e deri më tani, ndërsa i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet që të mbrohet në liri nga data 04.03.2019.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civilo-juridik.

Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.