Foto: Kallxo.com

3 vjet e gjysmë burg për përleshjen afër shkollës ‘Sami Frashëri’

Adhurim Krasniqi është dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burg nga gjykata në Prishtinë pasi u gjet fajtor në akuzat për lëndim trupor të shkaktuar ndaj dy personave dhe armëmbajtje pa leje.

Krasniqi, bashkë me një person tjetër, akuzohej se më 12 qershor të vitit të kaluar, afër gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, kishin tentuar ta vrasin Zenel Jasharin, dhe i kishin rrezikuar jetën Nazmi Ukës, të cilët në këtë proces gjyqësor kanë qenë palë e dëmtuar.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Fatbardh Abazi, është liruar nga akuza për vrasje në tentativë.

Fillimisht, Krasniqi ka qenë i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, por më pas Prokuroria në Prishtinë e kishte rikualifikuar veprën në lëndim të rëndë trupor.

Ai ka qenë i akuzuar edhe për veprën e dëmtimit të pasurisë, por më vonë prokurori kishte hequr dorë nga kjo pikë e akuzës.

Bashkë me dënimin me burg, Adhurim Krasniqi është obliguar nga gjykata që ta paguajë shumën prej 50 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 50 euro tjera si taksë për kompensimin e viktimave të veprës.

Kurse palët e dëmtuara Zenel Jashari dhe Nazmi Uka, për realizimin e  kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest civil.

Në seancën e kaluar, avokati Florent Latifi, mbrojtës i Adhurim Krasniqit, kishte kundërshtuar aktakuzën duke thënë se Prokuroria e ka mbështetur atë kryesisht në deklaratën e njërit nga të dëmtuarit të dhënë në shqyrtimin gjyqësor.

Sipas tij, asnjëherë Prokuroria nuk përmendi dy deklarata tjera të dhëna paraprakisht nga i dëmtuari Nazmi Uka.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Fatbardh Abazi, avokati Mentor Neziri, në fjalën e tij përfundimtare tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Ai kërkoi nga gjykata që klienti i tij të lirohet nga akuza sepse, sipas tij, nuk është vërtetuar se ai ka kryer veprën penale.

Kryetar i trupit gjykues në këtë rast ka qenë Lutfi Shala ndërsa anëtarë të trupit gjykues ishin Mustafë Tahiri e Nushe Kukaj.

https://kallxo.com/konflikti-te-sami-frasheri-prokuroria-e-mbrojtja-me-kerkesa-te-ndryshme-per-te-akuzuarit/

Në aktakuzën e Prokurosisë së Prishtinës thuhet se më 12 qershor 2018 përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, dy të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarin Zenel Jasharin dhe kishin rrezikuar jetën e të dëmtuarit Nazmi Uka.

Më tutje në aktakuzë thuhet se me veturën “Audi A3”, pronë e të akuzuarit Fatbardh Abazi, të cilën e kishte drejtuar i akuzuari Adhurim Krasniqi, kishin përcjellë lëvizjet e të dëmtuarit Zenel Jashari dhe në momentin kur ai kishte qenë në veturën e tij “Ford” të cilën e kishte drejtuar i dëmtuari Nazmi Uka, i akuzuari Adhurim Krasniqi kishte dalë nga vetura dhe më armë në dorë ishte afruar te pasagjeri dhe pasi dritarja kishte qenë e hapur e kishte futur dorën brenda në veturë dhe kishte shtënë 15 herë në drejtim të të dëmtuarit Zenel Jashari.

Sipas aktakuzës për shkak të këtyre të shtënave dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa i akuzuari Krasniqi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i akuzuari Abazi e kishte kthyer veturën me shpejtësi në drejtim të qendrës dhe kishin arritur të ikin në drejtim të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se ata për një kohë kishin qëndruar në arrati.