Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

3 Vjet e Gjysmë Burg për Dy të Akuzuarit për Detyrim

Gjykata Themelore e Gjakovës i gjeti fajtorë për këtë vepër penale që sipas aktakuzës është kryer në vitin 2009.

“Të akuzuarin Tafil Miftari për veprën penale të detyrimit Gjykata e dënon me burgim në kohëzgjatje prej dy viteve. Në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Të akuzuarit Bekim Vokshi… i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak”, tha kryetari i trupit gjykues, Shaqir Zika.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues sqaroi se si kishte ndodhur ngjarja.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit i kishin zënë rrugën dhe i kishin vendosur armën në kokë të dëmtuarit Skender Bytyqi, derisa ky po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshorten.

Tafili e kishte goditur Skenderin me revole në kokë, duke i shkaktuar gjakderdhje.

Bashkë edhe me një person tjetër të panjohur, të pandehurit e kishin nxjerrë Skenderin nga vetura dhe e nisin në drejtim të malit. Tafili e kërcënon se do ta vrasë duke i kërkuar borxhin në shumë prej 17 mijë eurosh.

Ata e liruan të dëmtuarin vetëm pasi bashkëshortja e tij u premtoi se do t’u paguhej borxhi i kërkuar.

Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 20 shtator 2009 rreth orës 22:00 në rrugën e fshatit Babovc të komunës së Rahovecit.