Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

3 Vjet Burg për Përvetësim të Paligjshëm të 715 Mijë Eurove

I pandehuri A.Sh. nga Peja është gjetur fajtor për veprën penale përvetësim i paligjshëm i 715 mijë eurove dhe është dënuar me tre vjet burgim.

Këtë shumë të parave i pandehuri e ka marrë teksa punonte si arkëtar kryesor i kompanisë “Devolli Grup”.

Shumën prej 715.000 eurove ai duhej ta depononte në bankë. Por, i akuzuari ka thënë se i ka humbur duke vënë baste në lojëra të fatit, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Pejës.

Në komunikatën për media të Gjykatës Themelore të Pejës thuhet së aktgjykimi është marrë pas pranimit të fajësisë vullnetarisht nga vetë i akuzuari.

“I akuzuari A. Sh. është shpallur fajtor, sepse me datë 07.04.2016 e gjerë me dt. 23.06.2016 duke keqpërdorur pozitën e tij prej arkëtari kryesor në kompaninë “Devolli Grup” me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka marrë nga arka shumën e të hollave prej 715.000 euro, të cilën shumë është dashur ta deponojë në bankë. Por, i akuzuari i ka humbur në lojërat e fatit në kompaninë “Colino” dhe “Totosport” në Pejë si dhe në kompanitë e tjera të lojërave të fatit”, thuhet në njoftimin e zëdhënëses së Gjykatës, Selvane Bukleta.

Në dënimin prej tre vjetësh burgim të akuzuarit do i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 08.07.2016 e deri më 02.03.2017.

Në njoftimin e zëdhënëses Bukleta thuhet se dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë të aktgjykimit, kurse pala e dënuar ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.