25 punonjës të IPK-së u certifikuan nga agjentë special të FBI-së

25 punonjës të IPK-së u trajnuan dhe u certifikuan nga agjentë special të FBI-së nga trajnimi pesë ditor i realizuar nga ICITAP-i amerikan në objektin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri.

Sipas një komunikate për media, ky trajnim është vazhdimësi e përkrahjes së IPK-së nga ICITAP-i amerikan dhe konsiderohet i specializuar për aspekte të veçanta dhe të avancuara të hetimeve.

Bëhet e ditur se ligjërues të këtij trajnimi ishin ekspertë të lartë të FBI-së (Federal Bureau of Investigation – Byroja Federale e Hetimeve) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe kryeshefja e IPK-së  Miradije Kelmendi e cila në fjalën e saj të rastit falenderoi ekspertët dhe zyrtarët e ICITAP-it për kontributin e tyre në rritjen e profesionalizmit në IPK”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, drejtori i AKSP-së Smajl Smakiqi ka vlerësuar lart bashkëpunimin me institucionet dhe partnerët nga SHBA -të.