Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

22 Vjet Burgim për Vrasjen e Rëndë në Mazgit

Në gjykimin ku të akuzuar për vrasjen e A. Sekiraqës dhe plagosjen e dy personave të tjerë ishin Mustafë e Flamur Krasniqi, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtor Flamur Krasniqin, ndërsa e liroi nga akuzat Mustafë Krasniqin.

Në bazë të aktakuzës së ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Flamur Krasniqi u shpall fajtor për veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Për veprën penale të vrasjes së rëndë, trupi gjykues vendosi që Flamur Krasniqi të dënohej me dënim me burg në kohëzgjatje prej 22 vjetësh, ndërsa për veprën penale mbajtje në pronësi kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve Krasniqit iu shqiptua dënim me burg prej 1 vit e 6 muaj.

Në total Flamur Krasniqi u dënua me dënim unik në kohëzgjatje prej 23 vjetëve.

Në këtë dënim Flamur Krasniqit do t’i llogaritet edhe qëndrimi në paraburgim prej 4 vjetësh e 7 muaj. Atij iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndërsa të liruarit Mustafë Krasniqi iu ndërpre masa e paraburgimit.

Pala e dëmtuar u këshillua në kontekst juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Mustafë e Flamur Krasniqi akuzoheshin për vrasjen e A. Sekiraqës dhe plagosjen e dy personave tjerë nga Mazgiti i Obiliqit në nëntorin e vitit 2012, për shkak të një kontesti pronësor.

Lënda i ishte dorëzuar për shqyrtim Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, por EULEX-i me një vendim me shkrim e ktheu atë te gjyqtarët vendorë.

Kjo nuk i kishte pëlqyer aspak të akuzuarit Flamur Krasniqi i cili kishte thënë në seancë se këtë çështje penale nuk pranon ta gjykojnë gjyqtarët vendas, duke qenë kategorik që i besonte vetëm gjykimit nga gjyqtarë të EULEX-it.

Një ditë pasi u vra A. Sekiraqa, Mustafë e Flamur Krasniqi ishin dorëzuar në polici. Nga atëherë ndodheshin në paraburgim.

http://kallxo.com/vrasja-ne-mazgit-deshmon-eksperti-armeve/

Të Akuzuarit për Vrasje nuk Duan të Gjykohen nga Vendorët

Dy të Arrestuar për Vrasjen në Prishtinë