21 vjeçari nga Gjakova që lufton stereotipet e Sindromit Down

Aldi Hoxha është 21 vjeçar me Sindrom Down nga Komuna e Gjakovës dhe punon në kafenenë X21 në Prishtinë. Për më shumë se dy vite, ai bën punën e bankierit dhe kamarerit.

Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Sindromit Down. Organizime për këtë ditë ka pasur edhe Shoqata Down Sindrom Kosova e cila është aktive që nga viti 2007.

Sipas kësaj shoqate, në Kosovë janë të regjistruar mbi 900 persona me Sindromin Down.

Emira Shabani, koordinatore për intervenim të hershëm në Down Sindrom Kosova ka treguar për aktivitetet e shoqatës.

“Shoqata ofron shërbime për të rritur dhe për fëmijë me sindromin down, pastaj ka për mision promovimin e të drejtave të personave me sindromin down” tha ajo.

Ndonëse ka përmirësime në infrastrukturën ligjore, problemet për personat me Sindromin Down mbesin ende. Sipas Shabanit asnjë person me Sindromin Down nuk është i punësuar në sektorin publik, ndërsa vetëm katër janë në sektorin privat.

“Ne numërojmë të punësuar vetëm 4 të punësuar në Kosovë që është një numër i vogël por gjithsesi është indikator i mirë” tha ajo në një intervistë për KALLXO.com.

Në bazë të të dhënave të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Kosovë brenda vitit lindin rreth 35-40 foshnja me sindromë Down.

Për më tepër, ndiqeni kronikën e KALLXO.com: