20 vjet pas, Reçaku i harruar nga ndërkombëtarët

20 vjet pas masakrës së kryer nga forcat serbe, të cilat vranë 45 civilë shqiptarë, fshati Reçak i Shtimes është vërshuar nga qytetarë të shumtë e drejtues institucionesh të Kosovës, të cilët kanë bërë homazhe në nderim të viktimave.

Përveç ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, për masakrën që tronditi botën dy dekada më parë nuk ka komentuar asnjë zyrtar i ndonjë shteti a institucioni perëndimor.

“Sot bashkohem me njerëz anembanë Kosovës për të kujtuar për një moment viktimat e vrasjeve në Reçak dhe të gjitha viktimat e tridhjetë viteve të fundit. Paqja në Ballkan varet nga drejtësia për ta dhe për familjet e tyre”, ka shkruar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në profilin e tij në “Facebook”.

Për masakrën, e cila shtyri edhe intervenimin e NATO-s kundër forcave serbe, asnjë fjalë nuk e ka thënë sot as Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Ishte drejtuesi i këtij misioni, William Walker, që më 16 janar 1999 e alarmoi botën për mizorinë e kryer nga forcat serbe në Reçak.

Ndërsa, nga vendet fqinje për përvjetorin e masakrës së Reçakut ka shkruar vetëm presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

“Si sot 20 vjet më parë bota u trondit nga faktet dhe pamjet drithërruese të krimeve dhe masakrës së Reçakut të kryera nga xhelati i Ballkanit, Slobodan Miloseviç. Mirënjohje për kontributin dhe përkushtimin e Ambasadorit Walker dhe misionit të OSBE-së në Kosovë që zbuloi dhe i tregoi botës të vërtetën e pushtetit dhe regjimit më mizor dhe kriminel në mes të Europës.

Përulje, nderim dhe kujtim me respekt viktimave të këtij krimi mizor. Popujt me kujtesë të shkurtër mbeten pa histori dhe pa të ardhme! Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë!”, ka shkruar presidenti Meta në profilin e tij në “Facebook”.

Homazhe sot në Reçak kanë bërë edhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës.