ILUSTRIM

20 Familje Shqiptare të Prekura nga Furtuna në Houston

Ambasadorja e Shqipërisë në Amerikë Floreta Faber në një postim në Facebook tregoi se fatmirësisht nuk ka ende ndonjë të vdekur nga komuniteti shqiptar i Houstonit.

Qyteti më i madh i Texasit është duke u përballur me stuhinë Harvey që ka shkaktuar vërshime, ndërsa sipas ambasadores së Shqipërisë 20 familje shqiptare kanë pësuar dëme materiale.

“Kam kontaktuar me drejtuesit e organizatës ‘Arberia Houston’ dhe jam informuar se janë të paktën 20 familje shqiptare të prekura totalisht nga kjo fatkeqësi natyrore duke iu rrëmbyer shtëpitë, makinat, dhe të gjithë pasurinë që ato kanë”, shkroi ambasadorja.

Se shqiptarët që jetojnë në Hjuston deri tash janë shëndosh e mirë, e konfirmoi po në Facebook edhe ambasadorja e Kosovës në ShBA Vlora Çitaku.

“Në zonat e prekura dhe përreth tyre jetojnë qindra familje shqiptare. Kam komunikuar me disa prej tyre dhe jam njoftuar që përveç dëmeve materiale, të gjithë janë shëndosh dhe jashtë rrezikut”, shkroi Çitaku.

Ndërsa ambasadorja Faber u bëri thirrje shqiptarëve ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Ju inkurajoj të bëni atë që shqiptarët bëjnë më mirë, të qëndroni sa më afër dhe ndihmoni njëri-tjetrin. Mos u ndjeni se jeni larg vendit, të afërmve apo miqve tuaj. Ju siguroj që vëmendja jonë është atje në Hjuston!”, shkroi Faber.