194 milionë Euro Grante për Shtatë Projekte Ballkanike

Presidenca e BE-së dhe Komisioni Europian nënshkruan “Traktatin e Komunitetit të Transportit” në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2017.

Gjatë samitit kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me homologët e tjerë të WB6, nënshkroi Traktatin e Transportit të Vendeve të Ballkanit Perëendimor me Bashkimin Europian, i cili pritet të jetë instrument i rëndësishëm në zhvillimin e transportit dhe infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore dhe me ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

Nënshkrimi i këtij traktati hapi rrugë për planifikim të investimeve në projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin e kësaj fushe.

Komisioni Europian paralajmëroi një paketë thelbësore për projekte të ndërlidhjes, që arrin në 194 milionë euro grante dhe duke investuar 500 milionë euro për shtatë projekte të reja rajonale për të përmirësuar lidhjet e transportit dhe energjisë brenda Ballkanit Perëndimor me BE.

Pas mbylljes së këtij samiti, përfaqësuesja e lartë/zëvendëspresidentja Federica Mogherini e konsideroi atë shumë të suksesshëm duke vënë në theks perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Në këtë samit të rëndësishëm të mbajtur në Itali, ne fillimisht e konfirmuam perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Të gjashtë partnerët në Ballkanit Perëndimor pa dyshim duan të jenë më të integruar në BE, duke qenë të vendosur për një të ardhme në Bashkimin tonë për të gjithë. Pasi të miratohen reformat e duhura, do të jemi shumë të vendosur nga ana jonë”, tha Mogherini.

Megjithatë, jashtë nënshkrimit të traktati mbeti Bosnja dhe Hercegovina së cilës iu bë thirrje për nënshkrim sa më të shpejtë.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë samit udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u pajtuan mbi një plan veprimi për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale për konsolidimin e një tregu me rreth 20 milionë njerëz dhe kështu të tërheqin investime dhe të gjenerojnë rritje dhe vende pune.

Ndërkaq, rreth lidhjes në mes të popujve pjesëmarrës në samit, Forumi Rinor i BE-Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e Komisionarit Hahn, bashkuan më shumë se 100 udhëheqës të rinj dhe përfaqësues të organizatave të të rinjve nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja për të debatuar mbi lëvizjen, përfshirjen, ndërmarrësinë dhe pjesëmarrjen e rinisë.