17 gjyqtarë të rinj fillojnë punën në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë s’ka zyre për ta

Edhe pse ka një hapësirë më të madhe se 50,000 mijë metra katrorë dhe në të janë investuar më shumë se 30 milionë euro nga Bashkimi Europian, Pallati i Drejtësisë si objekt ku janë vendosur Gjykata dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, Gjykata dhe Prokuroria e Apelit dhe Gjykata Supreme, po del të mos jetë zgjidhje afatgjate e problemit të hapësirës.

KALLXO.com mëson se 17 gjyqtarët që do të fillojnë punën në Pallatin e Drejtësisë do të përballen me pengesën e parë, nuk kanë zyre, të paktën deri më sot.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, për KALLXO.com tha se së shpejti do të fillojnë punën gjyqtarët e rinj por fillimisht duhet t’u gjinden zyre për të punuar.

“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë në ditët në vijim do të fillojnë punën 17 gjyqtarët e rinj, por Gjykata ende nuk është njoftuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për datën e saktë të fillimit të punës për këta gjyqtarë. Po ashtu ju njoftojmë se në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk ka hapësirë (zyre) për vendosjen e gjyqtarëve që pritet të fillojnë punën”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Zëdhënësja Gashi tha për KALLXO.com se lidhur me këtë çështje, Gjykata ka njoftuar me shkrim KGJK-në  për mungesën e hapësirës për akomodimin e këtyre 17 gjyqtarëve në fjalë, si dhe ka kërkuar përfshirjen aktive të KGJK-së sa i përket çështje.

Në anën tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duket se përpos që ka të dhëna tjera për numrin e gjyqtarëve që do të fillojnë punën, ka edhe zgjidhje për vendosjen e gjyqtarëve.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në muajin nëntor të vitit 2018, do të fillojnë punën 20 (njëzet) gjyqtarë të rinj. Për sa i përket sigurimit të hapësirave/zyrave për këta gjyqtarë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në koordinim me Kryetarët e Gjykatës Supreme, Apelit dhe Themelore do të sigurojë hapësira të mjaftueshme përkatësisht zyrë për gjyqtarët e rinj në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për KALLXO.com.

Nga vendosja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Pallatin e Drejtësisë, projekt ky i financuar nga BE, ka pasur disa herë protesta të gjyqtarëve e prokurorëve por edhe të stafit mbështetës në lidhje me kushtet e punës brenda objektit, në veçanti ankesa ka pasur për mungesën e ajrimit.