17 familje pa rrymë e rrjet kanalizimi në objektin e financuar nga Ministria e Punës - VIDEO

Kjo ndërtesë në Stantërg të Mitrovicës u është ndarë familjeve me kushte të rënda ekonomike.

Aty janë vendosur 17 familje të përzgjedhura nga një Komision i Komunës së Mitrovicës.

Kjo ndërtesë e financuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte përuruar pa u kyçur në rrjetin elektrik dhe atë të kanalizimit.

Banorët që kanë nënshkruar kontratat për shfrytëzimin e këtyre banesave vazhdojnë të jetojnë aty bashkë me problemet me ujërat e zeza e mungesë të energjisë elektrike.

Muhamet Tahiri banor i kësaj ndërtese bën lutje  tek institucionet të bëjnë zgjidhje sepse fëmijët dhe banorët janë të rrezikuar nga dalja e ujërave të zeza në hyrje të banesës.

“Kemi një problem për rrymë, tash nuk po e dimë a i ka fajet komuna a Qeveria asnjeri s’po ja lënë fajin njëri tjetrit veç kryesorja jemi pa rrymë, pa kanalizim që është bllokuar me tanë dertet e këqija, na mbyti veç mos me dalë s’po mundemi me i qel ballkonet se të mbyt era, mundemi me marr najë s’mundje këtu shumë katastrofë jemi“, thotë Tahiri.

Edhe Bastri Qarkaj thekson se problemet në banesën e re sociale janë të shumta.

“Kushtet janë katastrofë prej 12 dhjetorit të vitit të kaluar nuk kemi as energji elektrike që një muaj e gjysmë na u ka bllokuar kanalizimi oxhakët nuk na bëjnë si të ndezim na e kthen timin në katër anët, nuk e di çka me bo kështu”, tha Qarkaj.

Isa Haziri, banor tjetër i kësaj ndërtese thotë se banorët janë detyruar që vetë ta lidhin rrymën në një shtyllë elektrike aty afër.

“Vetë e lidhim gjithkush për veten, aty në shtylla sot lidh nesër zgjidh , sot lidh nesër zgjidh. Kur të na vjen dënimi çka kemi me bo me 82 euro social çka me bo”, theksoi Haziri.

Drejtori teknik i Ujësjellësit në Mitrovicë Kadri Istrefi thotë se kjo ndërtesë nuk ka fare rrjet të kanalizimit, banorët janë të kyçur në një gropë aty afër e cila nuk e përballon rrjedhën e ujërave të zeza e të cila pastaj dalin në sipërfaqe.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala në përgjigjet e tij për KALLXO.com ka thënë se ndërtesa në fjalë nuk i ka plotësuar parametrat teknik dhe ka mbetur pa u kyçur në rrjet sepse ne nuk mundemi t`i rrezikojmë banorët.

Ndërsa, Blerina Kastrati zëdhënëse e Komunës së Mitrovicës thotë se me vendosjen e banorëve në atë objekt kanë filluar edhe problemet. Sipas saj, Komuna disa herë ka provuar të bëjë zgjidhje mirëpo investimin e ka bërë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo e fundit po thotë ata vetëm e kanë financuar ndërsa infrastruktura tjetër deri tek objekti është përgjegjësi e Komunës. KALLXO.com gjithashtu ka tentuar ta merr një koment nga kompania që e ka ndërtuar objektin por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndërtimi i këtij objekti në të cilin janë vendosur  17 familje në gjendje të vështirë ekonomike ka kushtuar rreth 300 mijë euro, mjete këto të siguruara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërkohë që komuna ka siguruar tokën për ndërtim.