156 persona nën hetime për vepra të ndërlidhura me terrorizëm

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë të ditur se është duke hetuar 156 persona të dyshuar për veprat që ndërlidhen me terrorizëm dhe  pjesëmarrje në luftëra jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Është bërë e ditur se ndëshkueshmëria për kryerjen e këtyre veprave penale, varion nga tre vjet deri në 15 vite burgim.

Sot gjatë konferencës për media të thirrur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me kthimin e mbrëmshëm të shtetasve kosovarë nga Siria, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka thënë se për katër të arrestuarit, ka qenë në fuqi masa e urdhërarrestit.

“Ndaj këtyre personave të cilët i kemi ndër hetime, në momentin që ndalohen apo arrestohen nga policia do të sillen në prokurori.”, ka deklaruar prokurori Hoxha.

I pyetur se kur kanë filluar hetimet për këta persona, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se ‘ne më herët kemi filluar hetimet ndaj tyre, pas marrjes së informacioneve nga Policia e Kosovës se ata kanë marrë pjesë në grupe terroriste jashtë territorit të Kosovës’.

Lumezi ka thënë se deri tani, për 119 persona kanë ngritur akte akuzuese, ndërsa për 156 të tjerë kanë filluar hetimet.

“Për 156 persona të tjerë, jemi në fazën e hetimeve dhe tash pas marrjes së informacioneve dhe marrjes së emrave nga Policia e Kosovës, për personat të cilët janë të riatdhesuar, nëse ka edhe dikush tjetër për të cilin kemi nxjerrur aktvendim për fillimin e hetimeve sigurisht se edhe ata do t’i procedojmë në procedurë penale.”, ka deklaruar kryeprokurori Lumezi.

Tutje Lumezi ka treguar se posedojnë informacione të sakta për identitetin e këtyre personave, por që të dhënat personale të tyre nuk mund t’i bëjnë publike ende.

“Në momentin kur e dërgojmë kërkesën në gjykatën kompetente, atëherë mund të merrni informacione më të detajizuara nga gjykata.”, ka shtuar ai.

Sa i përket personave që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, kryeprokurori Lumezi ka theksuar se ndaj tyre do të filojnë procedurat administrative.

“Ata të cilët kanë hequr dorë nga statusi i shtetasve të Republikës së Kosovës sigurisht që do të fillojë procedura administrative, për t’iu dhënë atyre shtetësinë e Kosovës nëse ata kërkojnë.”, ka përfunduar ai.

Mbrëmë(19 prill) rreth orës 22:30 një aeroplan ateroi mbi Aeroportin Nderkombëtar të Prishtinës, në të cilën gjendeshin burra, gra e fëmijë të rikthyer nga Siria.

Autobusë, ambulanca, e familjarë ishin ardhur për të rikthyerit.

Gra e fëmijë do të përfundonin në Qendrën e Azilit në Vranidoll, ndërsa disa burra do të dërgoheshin në Burgun e Sigurisë se Lartë, atë të Dyzit.

Për katër orë rresht, të rikthyerit qëndronin brenda hapësirës së aeroportit më saktësisht në zonën VIP në aeroport.

Njësia Speciale kishte blinduar portën e aeroportit dhe gjendeshin në çdo cep të saj. Të armatosur po vëzhgonin situatën dhe po krijonin siguri për të rikthyerit.

Rreth orës 02:05 pas mesnatës nën përcjelljen e policisë, autobusët në të cilën gjendeshin gratë e fëmijët morrën rrugën për në Qendrën e Azilit në Vranidoll.

Njëjtë si aeroporti edhe Qendra e azilit ishte blinduar nga policia ndërsa prisnin ardhjen e grave e fëmijëve në këtë qendër.

https://kallxo.com/prokuroria-hetimet-per-kater-te-kthyerit-nga-siria-kishin-nisur-me-heret/

https://kallxo.com/pritja-e-kosoves-per-te-kthyerit-nga-siria/