Kamenica. Foto: Kallxo.com

155 mijë euro donacion për QMF-në në Hogosht dhe ujësjellësin në Kamenicë

Në maj të këtij viti, Komuna e Kamenicës ka arritur dy marrëveshje bashkëpunimi më Ministrinë Administrimit të Pushtetit Lokal respektivisht Ministrinë e Zhvillimit Rajonal me vlerë 155 mijë euro për Qendrën e Mjekësisë Familjare në Hogosht dhe ujësjellësin në lagjen Çamëria në Kamenicë.

MAPL është dakorduar që të financojë projektin e propozuar nga Komuna e Kamenicës që ka të bëjë me renovimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Hogosht.

Vlera e financimit është 70 mijë euro dhe këto të holla do të përdoren për të përmirësuar gjendjen infrastrukturore të objektit ekzistues së QMF-së në Hogosht.

“Projekte të tilla do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve mjekësore në komunën tonë”, ka shkruar kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Kurse me MZhR-në është nënshkruar marrëveshje mirëkutimi për bashkëfinancimin e projektit të ujësjellësit në lagjen Çamëria “Përmirësimi i cilësisë së jetës dhe krijimi i kushteve më të favorshme për zhvillim të bizneseve përmes rregullimi të ujësjellësit në lagjen Çamëria në Kamenicë”.

Vlera totale e këtij projektit është 125.5 mijë euro, ndërkohë që ky investim do të bashkëfinancohet nga MZhR me 85 mijë euro dhe komuna e Kamenicës e cila ka ndarë 40,5 mijë euro. Komuna është përgjegjëse që të fillojë përgaditjet teknike për realizimin e këtij projekti.

“Në emër të qytetarëve kam falënderuar zyrtarët e ministrive përkatëse për ndihmën e dhënë. Duke pasur parasysh buxhetin shumë të vogël për investime të tilla, ne si Komunë vazhdimisht do të hartojmë projekte dhe do të kërkojmë ndihmë edhe nga donatorët e jashtëm”, ka thënë Kastrati.