Ilustrimi: KALLXO.com

14.5 mijë euro pa bazë ligjore për punëtorët e 'Hortikulturës'

Auditori ka gjetur se kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Hortikultura” ka aprovuar kërkesat e punëtorëve për avance në vlerë prej 14,489.00 mijë euro në vitin 2018.

Kryeshefi ekzekutiv kishte aprovuar kërkesat e punëtorëve për avance në shumë prej 50 euro e deri në 100 euro në të gatshme. Sipas librit kryesor për vitin 2018 janë dhënë avance në vlerë 15 mijë euro.

Në raportin e auditimit thuhet se për aprovimin e kërkesave të punëtorëve për pranimin e avancave, duhet të ketë një politikë apo udhëzim të brendshëm ku do të përcaktohen vlerat e avanceve dhe kriteret e dhënies.

Auditori ka konstatuar se Ndërmarrja Publike “Hortikultura” nuk kishte një bazë ligjore apo politikë të shkruar për dhënien e avancave ndaj punëtoreve.

“Kjo ka ndodhur për shkak se ndërmarrja nuk kishte bord të drejtorëve nga viti 2013 deri në shtator 2018”, vazhdon raporti.

Më tej Auditori ka thënë se dhënia e avanceve ndaj punëtorëve, përveç së është e pa bazë ligjore, mund të ketë si rrezik mos kthimin e mjeteve në llogarinë e ndërmarrjes.

“Kryesuesi i Bordit duhet të ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e dhënies së avancave ndaj punëtoreve pa bazë ligjore”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.