130 mijë euro paga për 32 punëtorë pa dalë asnjëherë në punë

Mbi 130 mijë euro është shumë që Ministria e Arsimit e ka paguar për 32 zyrtarë të komunitetit serb, për të cilët nuk ka dëshmi se kanë ardhur në punë.

Këta zyrtarë ishin pjesë të ashtuquajturës ‘Mbrojtje Civile’ e cila u shua me Marrëveshjen e Brukselit.

Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, si dhe mbështet zotimet e përcaktuara me këto konkluzione.

Përmes këtij vendimi, obligohen ministritë dhe agjencitë përkatëse që të bëjnë zbatimin e konkluzioneve sipas përgjegjësisë ligjore.

Në MAShT, pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 32 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

Sipas raportit të auditorit të përgjithshëm, këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.

“Për zyrtarët e lartcekur ministria, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon Rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës e hartuar nga Ministria e Administratës Publike, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për këta 32 zyrtarë ishte 134,657€”, thuhet në raport.

Auditori ka rekomanduar që ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore.

Auditori kishte gjetur se paga për ish- punëtorët e ‘Mbrojtjes Civile’ ishin dhënë pa punuar edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

https://kallxo.com/per-shuarjen-e-mbrojtjes-civile-u-dhane-rroga-pa-punuar-kurre/