13-vjeçarja, Fjorda Shabani, theu rekordin e Kosovës për seniorë në not

Notarët e Kosovës kanë përfunduar edhe ditën e dytë të garave në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.

Suksesi më i madh i tyre ishte rezultati i talentes 13-vjeçare, Fjorda Shabani, e cila theu rekordin e Kosovës për seniore në 100 metra shpinë.

Sipas Komitetit Olimpik të Kosovës, ajo pati kohën 1.07:69 sekonda. Kjo kohë është mjaft premtuese për të ardhmen e Fjordës dhe në përgjithësi notit të Kosovës. Ajo e mbante vetë rekordin me kohë 1.08:27 sekonda.

“Jam shumë e lumtur që arrita ta përmirësoj kohën time dhe njëkohësisht të thyej rekordin”, citohet të ketë thënë Fjorda Shabani.

Sa i përket pozitës së përgjithshëm të Fjordës në këtë disiplinë të Lojërave Mesdhetare Tarragona 2018, ajo  u rendit e 10-ta nga 11 garuese.

Në të njëjtën disiplinë, Eda Zeqiri doli e 11-ta me kohë 01.09:42 sekonda.

Në disiplinën 100 metra bretkocë, Dasar Xhambazi, doli i 18-ti nga po aq pjesëmarrës me kohë 01.11:51 sekonda.

“Kam stërvitur shumë dhe kam pritur që do ta thyej rekordin. Jam shumë e kënaqur, por mendoj se kam mundur të kem kohë edhe më të mirë. Sidoqoftë, është kohë shumë e mirë”, tha Fjorda Shabani për faqen zyrtare të KOK-ut, “noc-kosovo.org”.

Noti do të ketë gara edhe nesër, ku edhe do ta përfundojë pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.