Punimet ne shkallet e Arberise (Dragodanit) - FOTO KALLXO

120 ditë nuk i mjaftuan Komunës së Prishtinës për 258 shkallët e 'Arbërisë'

Komuna e Prishtinës me datën 5 shkurt 2018 kishte nënshkruar kontratën me kompaninë ‘Nbt-Ing’ nga Suhareka, për ‘revitalizimin e shkallëve dhe ndërtimin e mbikalimit në lagjen ‘Arbëria’ – ish-Dragodanit.

Punimet kishin filluar në muajin mars, ndërsa i gjithë projekti e kishte një kosto prej 463 mijë euro.

Në kontratën e nënshkruar, afati i punimeve ishte 120 ditë pune, duke mos përfshirë ditët e vikendit të shtunën dhe të dielën, si dhe festat zyrtare.

Në këtë projekt, parashihej të kryeshin punimet në rreth 300 metra gjatësi, me shkallë të gjera 2.5 metra, të shtruara me gurë natyrorë me trashësi prej 10 centimetrash. Gjithashtu, parashihej që të rregullohej edhe kanalizimi atmosferik, ndriçimi dhe këndi i lojrave për fëmijë.

Në një llogaritje të thjeshtë, 120 ditë sa ishte afati i caktuar, duke i hequr ditët e vikendit dhe festat zyrtare, maksimumi  deri në fund të muajit gusht të vitit ta kaluar duhej të përfundonte ky projekt.

KALLXO.com, ka tentuar të marrë një përgjigje prej kryetarit Shpend Ahmeti dhe prej zyrtarit për media në Komunën e Prishtinës Adonis Tahiri, por të njëjtit nuk kanë kthyer të paktën asnjë përgjigje në lidhje me çështjen.

Gjithashtu, edhe drejtori i kompanisë së kontraktuar ‘Nbt-Ing’  për kryerjen e punimeve Tahir Sopa, nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Për këtë projekt ishte arrestuar edhe një zyrtar i Komunës së Prishtinës, pasi ishte akuzuar se i kishte kërkuar ryshfet kompanisë kontraktuese.

 

Lidhur me zvarritjen e punimeve në ndërtimin e shkallëve në lagjen ‘Arbëria’, kishte reaguar edhe Levizja Vetëvendosje.

Kjo parti e konsideron se shkallët e Arbërisë janë arterie e rëndësishme për qarkullim të lagjes, dhe për lidhjen e saj me qendrën e qytetit, veçanërisht kur dihet se ato shërbejnë si vazhdimësi e rrugës UÇK, duke e lidhur parkun Arbëria ne Sheshin Adem Jashari.

https://kallxo.com/vv-ia-kujton-shpend-ahmetit-shkallet-e-dragodanit/

.