Konferenca e Misionit Vëzhgues të BE-së | Foto: KALLXO.com

BE me 100 Vëzhgues Monitoron Çerekun e Vendvotimeve

Në një konferencë të shefit të Misionit Vëzhgues të BE-së Alojz Peterle u tha që ky mision do t’i mbikëqyrë zgjedhjet e 11 qershorit me 100 vëzhgues.

Monitorimi do të bëhet në tërë territorin e Kosovës pa përjashtuar komunat me shumicë serbe.

“Numri i vëzhguesve ka për qëllim të përcjellë procesin zgjedhor e një çerek të vendvotimeve dhe kjo është një mostër e mirë për të nxjerrë përfundime”, tha Peterle.

Ai më tutje tregoi se vëzhguesit do të jenë të paanshëm.

Siç e theksova, ne kemi për qëllim të përcjellim procesin zgjedhor dhe po ashtu ne përdorim një metodologji publike dhe kriteret kyçe për të qenit të paanshëm. Kurse sa i përket pjesës veriore do të përdorin metodologjinë e njëjtë sikurse edhe në vendet e tjera”, deklaroi Peterle.

Vëzhguesit e BE-së sipas Peterles janë nga shtetet e këtij bashkimi, por edhe nga Zvicra e Suedia.

Peterle pret që Kosova me zgjedhje të tregojë pjekuri politike.

“I shoh këto zgjedhje si një mundësi mjaft të mirë për të demonstruar pjekurinë demokratike… Ne nuk jemi gjyqtarë, por do të jemi ata që shohim parregullsitë, të cilat do të mund të ndodhin”, tha ai.

Peterle u tregua entuziast se sivjet do të kenë të drejtë vote edhe personat që lindën në vitin 1999.

“Zgjedhjet e 11 qershorit janë zgjedhjet e para ku gjenerata e 99-ës ka të drejtë të votojë, jam i impresionuar me vlerat e përbashkëta europiane, ndjenjën e optimizmit që e shprehin të rinjtë dhe respektin e tyre për procesin demokratik”, tha Peterle

Shefi i Misionit Vëzhgues të BE-së tregoi se është takuar me politikanët në vend, përfaqësues të KQZ-së dhe BE-së dhe në të gjitha takimet tha se ka përcjellë mesazhin që procesi zgjedhor të shkojë ashtu si duhet.

Misioni Vëzhgues i BE-së gjetjet e tyre preliminare nga procesi zgjedhor do t’i publikojë 48 orë pas ditës së zgjedhjeve, ndërsa raportin final të gjetjeve do ta publikojë dy muaj më pas.

Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 11 qershor, pasi qeveria u rrëzua nga një mocion mosbesimi në Kuvend më 10 maj.