Logo e 10 vjetorit të Pvarësisë së Kosovës

10 Vjetori i Pavarësisë- Organizimet Kulturore nga ShBA-ja në Turqi

Për të shënuar 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës do të ketë aktivitete kulturore që do të organizohen në ShBA, Austri, Turqi, Zvicër e Suedi.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për nder të 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, e ka mbështetur projektin me titull “Manifestim Kulturor i Nxënësve Shqiptarë të Austrisë”, i organizuar nga  Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri.

“Në Vjenë të Austrisë do të organizohet një aktivitet kulturor me program të përgatitur nga nxënësit e shkollave shqipe në Austri, program ky që do të shfaqet për prindërit, mysafirët dhe të ftuarit e tjerë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike për KALLXO.com.

Në bashkorganizim me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork, do të organizohen aktivitete nga 12 shkurt deri në ditën e Pavarësisë me 17 shkurt 2018.

Në Nju Jork do të mbahet program me shkollat shqipe, konferenca “Kosovo – A Decade of Independence”, ku janë të ftuar panelistë të njohur të politikës dhe të diplomacisë ndërkombëtare (konferenca përkrahet nga MDIS-i).

Po ashtu do të ketë edhe ekspozitë të fotografisë me artistë nga Kosova dhe do të mbahet edhe koncerti i pavarësisë me artistë shqiptarë që veprojnë në Nju Jork.

Nuk do të mungojë as pritja diplomatike si ngjarje për korin diplomatik, gazetarë të akredituar në OKB, personalitete dhe aktivistë nga komuniteti shqiptaro – amerikan, si dhe turne në futboll me shoqata sportive nga komuniteti.

Manifestimet kulturore për nder të pavarësisë së Kosovës do të mbahen edhe në qendrat kulturore të Kosovës në Turqi, Zvicër e Suedi.

Në Qendrën Kulturore të Kosovës në Stamboll të Turqisë, më 17 shkurt 2018 mbahet program artistik me shoqatat kulturore në Stamboll.

“Me këtë rast bëhet edhe shpërndarja e certifikatave për kursistët e mësimit të gjuhës shqipe”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike për KALLXO.com.

Më 24 shkurt 2018 në Qendrën Kulturore në Stamboll organizohet edhe konferenca me temën  “Rruga Diplomatike e Kosovës drejt Pavarësisë”.

Organizimet kulturore për të shënuar 10 vjetorin e pavarësisë nuk do të mungojnë as në Zvicër.

Në Qendrën Kulturore në Cyrih të Zvicrës, po ashtu, do të ketë aktivitete kulturore, në bashkoraganizim me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih.

Ndërkaq, në Qendrën Kulturore në Malmo të Suedisë, më 17 shkurt  organizohet programi artistik nga shoqata kulturore të këtij vendi.