Mbledhja e Këshillit Prokurorial | Foto: Facebook

1 Milion e 200 Mijë Euro Pasuri e Konfiskuar në 2017-ën

Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial u bë e ditur se gjatë 2017-ës u konfiskua pasuri e paligjshme në vlerën 1 milion e 200 mijë euro.

Në mbledhje u bë aprovimi i Raportit Vjetor 2017 të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomik.

Shqipdon Fazliu, koordinator kombëtar për luftimin e krimit ekonomik në mbledhje tha se konfiskimi i pasurisë së paligjshme është më specifik se fushat e tjera të sistemit prokurorial.

“Kjo dëshmohet me faktin se në tri periudhat e para raportuese ose deri në shtator të vitit 2017 kemi pothuajse zero raste të konfiskimeve apo të shumave relevante të konfiskimeve përfundimtare, por në periudhën e katërt ka ndryshuar gjendja për të mirë”, tha Fazliu.

Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje u shqyrtua dhe aprovua raporti vjetor 2017 i Komisionit mbikëqyrës për zbatimin e planit strategjik dhe të veprimit në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike 2016-2018.

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi në mbledhjen e Këshillit Prokurorial tha se duhet lavdëruar prokurorët për punën që kanë bërë në zgjidhjen e lëndëve.

“I kemi zgjedhur 412 nga lëndë të cilat i kemi pranuar dhe ky është një sukses i mirë dhe duhet të lavdërohet puna e prokurorëve gjatë këtij tremujori të fundit”, tha Lumezi.

Ai ia la fajin pushimit të prokurorëve për ngecje në zgjidhjen e lëndëve në periudhën korrik-shtator 2017.

“Ndoshta kemi ngecur pak në tremujorin e tretë për shkak të pushimeve, shumica e prokurorëve të cilët kanë punuar në Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion kanë qenë në pushim vjetor”, u shpreh Lumezi.

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme ishte  edhe raporti për vitin 2017 i Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional për Harmonizimini e Statistikave për Veprat Penale Karakteristike dhe raporti i  viteve 2016- 2018, të cilët u aprovuan nga këshilli.

Në këtë mbledhje u aprovua  edhe kërkesa e Kryeprokurorit në Ferizaj  për transferimin e  përhershëm të prokurorit Burim Çerkini, nga Departamenti për të Mitur në Departamentin e Krimeve të Rënda.