Ilustrim

1.7 për qind Inflacioni në Shtator

Inflacioni në muajin shtator regjistroi normën prej 1.7 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.7% në muajin shtator 2017, krahasuar me muajin shtator 2016. Kjo kryesisht është shpjeguar me disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve”, thuhet në publikimin e Agjencisë së Statistikave.

Sipas ASK-së, në ngritje të çmimeve në shtator ndikoi rritja e çmimeve të disa artikujve.

Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra (1.0%); mish (1.1%); vajra dhe yndyra (3.5%); pemë (6.0%); sheqer dhe ëmbëlsira (4.5%); kafe, çaj dhe kakao (9.5%); duhan (7.4%); këpucë (4.0%); rrymë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (17.1%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.1%)me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.1% në IHÇK”, thuhet në komunikatë.

Agjencia e Statistikave tregon se disa çmime të artikujve u ulën nga shtatori në shtator.

“Rënia e çmimeve në qumësht, djathë dhe vezë me -1.4 për qind, blerje të automjeteve me -1.7 për qind, pajisje telefonike dhe të telefaksit -8.4 për qind, pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave -6.5 për qind me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.4 për qind në indeks”, ndikuan në neutralizimin e ngritje së çmimeve.

Çmimet u ngritën për 0.1 për qind në shtator në krahasim me muajin gusht të këtij viti.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.1% në muajin shtator 2017, krahasuar me muajin gusht 2017”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Në shtator në raport me gushtin më të shtrenjta ishin “qumështi, djathi dhe vezët (0.9%); perimet (5.5%); gazi dhe lëndët tjera djegëse (1.4%)”.

Por edhe në shtator kishte disa artikuj më ë lirë që neutralizuan ngritjen e çmimeve.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për çmimet e konsumit.