Rehabilitimi i rrugëve | Foto: Ministria e Infrastrukturës

1.5 Milionë Euro për Riorganizim të Rrugëve

Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku sot përuroi nisjen e punimeve nga hyrja e Prishtinës deri te rrethrrotullimi në Fushë-Kosovë, si dhe asaj nga Veterniku deri në udhëkryqin për Gjilan.

Këto rrugë do t’i kenë nga tri korsi.

Ministri Zharku këto dy projekte i cilësoi si riorganizim të rrugëve që lidhin Prishtinën me Fushë-Koosvën e Gjilanin.

“Jemi në fillim të punimeve në riorganizimin e pjesës prej rrethit të Mitrovicës deri në atë të Fushë-Kosovës dhe do të vazhdojmë më pastaj edhe me riorganizimin prapë të trafikut të rrugëve prej Veternikut deri te QMI-ja,” tha Zharku.

Sipas Zharkut, rruga prej rrethit që çon drejt Mitrovicës deri te ai i Fushë-Kosovës do të ketë edhe shtigjet për këmbësorë dhe çiklistë.

Ministri i Infrastrukturës tregoi se rrugët po riorganizohen ashtu siç kanë kërkuar banorët dhe bizneset afër tyre.

“Qëllimi kësaj është lehtësimi i komunikacionit, natyrisht plotësimi i kërkesave të banorëve për një qasje më të mirë në rrugë dhe zvogëlimi i aksidenteve në komunikacion,” u shpreh Zharku.

Bajram Gashani nga kompania kontraktuese, tha se punimet në këtë pjesë do të përfundojnë para afatit të paraparë.

“Ne do t’i përmbahemi kontratës që është e specifikuar. Mirëpo, ne me personelin në kompani e kemi vlerësuar dhe zotohemi para juve që do të punojmë edhe në ndërrimin e dytë. Kështu që do të përfundojmë para afatit të caktuar,” tha Gashani.

Projekti do të zgjasë 200 ditë pune dhe do të kushtojë mbi një milion e gjysmë euro, ndërsa rrugët do t’i kenë tri korsi në shkuarje dhe tri në ardhje.