Qendra Humanitare Serbo- Ruse | Foto: Facebook

Zyrtari i SHBA-së do të Vizitojë Qendrën Humanitare Serbo-Ruse

Ambasada e ShBA-së tha për BIRN-in se një zyrtar nga stafi i saj do ta vizitojë të mërkurën Qendrën Humanitare Ruso-Serbe në qytetin jugor të Nishit.

“Ne konfirmojmë që të mërkurën më 12 korrik, si pjesë e një vizite në Serbinë Jugore dhe me ftesë të Qendrës Humanitare Ruso-Serbe një përfaqësues nga Ambasada e ShBA-së i shoqëruar nga një përkthyes, pritet të vizitojë Qendrën”, tha ambasada në një deklaratë me shkrim për BIRN-in.

Qendra Ruso-Serbe u hap në vitin 2012 dhe thuhet se është e përfshirë në “përgjigje humanitare emergjente, parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe aksidenteve teknologjike dhe eliminimin e pasojave të tyre”.

Megjithatë, janë ngritur shqetësime në qarqet diplomatike perëndimore se kjo qendër mund të përdoret për qëllime spiunazhi.

Ndihmës-drejtori i qendrës, Vjaceslav Vlasenko, i tha agjencisë së lajmeve AFP të martën se nuk ka të bëjë me spiunimin, por ka ndihmuar në situata emergjente siç janë zjarret në pyje, përmbytjet e mëdha dhe fluksin e madh të emigrantëve në të gjithë rajonin në vitin 2015.

“Ne nuk jemi politikanë, po përmbushim misionin tonë, shpresoj në një mënyrë të mirë”, tha Vlasenko.

Ai i përshkruan thashethemet se qendra është përdorur për qëllime ushtarake si “gjepura”.

Vizita e ShBA-së vjen në mes të kërkesave ruse për qendrën që t’u jepet status diplomatik, siç kanë ushtarët e NATO-s në Serbi.

Marrëveshja e Statusit të Forcave, SOFA, e cila krijon të drejtat dhe privilegjet e personelit të huaj të pranishëm në një vend pritës në mbështetje të një marrëveshjeje më të madhe të sigurisë, u nënshkrua në vitin 2014 gjatë një vizite nga Ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Rodiç në ShBA.

Parlamenti serb e ratifikoi atë në vitin 2015.

Zëvendës/ndihmës sekretari i shtetit të ShBA-së, Hoyt Brian Yee i tha senatit më 15 qershor se qendra ishte një shqetësim për Departamentin e Shtetit për shkak të asaj që mund të bëhet nëse Serbia përmbush kërkesën e Rusisë dhe i jep stafit të qendrës status dhe imunitet të veçantë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Serbisë Maria Zaharova tha më 22 qershor se megjithatë akuzat e tilla ishin “absurde”.

Kryeministrja e re serbe Ana Brnabiq tha në një intervistë për Agjencinë Ruse të Lajmeve “Sputnik” më 30 qershor se zgjidhja e çështjes së statusit të Qendrës Ruso-Serbe është “ndër prioritetet e qeverisë”.

Brnabiq shprehu shpresën se së shpejti do të gjendet një zgjidhje dhe se do të jetë “e pranueshme për të gjithë”.